Interi po bën gati strategjinë për ndërhyrje në merkaton e janarit, aty ku synohet të afrohen lojtarë që të ndihmojnë skuadrën në fazën sulmuese. Zikaltërit i kanë bërë një nisje të jashtëzakonshme sezonit me 19 pikë të grumbulluara në 7 javët e para, aq sa Juventusi kampion dhe dy pikë më pak se Napoli që kryeson me pikë të plota. Celësi i suksesit në formacionin e Spaletit është mbrojtja e cila rezulton më e mira e kampionatit me 3 gola të pësuar, ndërkohë që sulmi i zikaltërve është larg rivalëve.
Me 14 golat e shënuar Interi renditet në të njëjtën pozitë me Romën dhe pas Napolit me 25 gola, Juventusit me 20 dhe Lazios me 19. Nisur nga kjo merkatoja e janarit duket e përqendruar pikërisht për të përforcuar repartin e sulmit. Arturo Vidal është preferenca kryesore, një futbollist me peshë për të ringritur Interin jo vetëm në Itali por edhe në Europë. Kompania Suning po projekton një skuadër më të fortë ndërkohë që ardhja e kilianit varet shumë edhe nga e ardhmja e dyshes Brozovic – Joao Mario. Nëse njëri prej tyre vendos të largohet atëhere afrimi i ish mesfushorit të Juventusit mund të bëhet realitet. Një tjetër lëvizje mund të jetë afrimi i brazilianit Ramires, që luan tek Jiangsu, klub në pronësi të familjes Zhang. Gjithashtu tek klubi kinez është një tjetër brazilian, Alex Teixeira që mund ti ofrohet ziakltërve. Në serinë A Interi ka hedhur sytë tek uruguajani i Sampdorias Lucas Torreira, por ky operacion parashikohet shumë i vështirë.
