Tersi i sfidave të skuadrave përfaqësuese vazhdon të shoqërojë Interin që pasi humbi për arsye dëmtimi portugezin Joao Cancelo në grumbullimin e kaluar të kombëtares luzitane, ka marrë një tjetër lajm të keq këtë herë nga kampi kroat. Marcelo Brozovic autori i 2 golave në sfidën e fundit ndaj Beneventos dhe njeriu i momentit në shtëpinë zikaltër, është në rrezik të madh për të mos luajtur në derbin e 15 Tetorit ndaj Milanit.
Brozovic u dëmtua në sfidën e fundit mes Kroacisë dhe Finlandës. Mesfushori ka probleme muskulore dhe për këtë arsye nuk do të jetë i gatshëm për takimin delikat që Kroacia do të luajë ndaj Ukrainës në transfertë. Brozovic ka lënë grumbullimin e kombëtares duke u bashkuar sërish me Interin por prania e tij në derbin ndaj Milanit është në dyshim të madh. Për Luciano Spallettin kanë nisur që tani dhimbjet e kokës pasi trajneri kishte gjetur Brozovic njeriun ideal për të luajtur pas sulmuesit kryesor Mauro Icardi.
