Interi në “duart” e Atalanta-s, jo vetëm për titullin kampion, por edhe në merkato

Duvan Zapata është kthyer në “modë” në shtëpinë e Interit. Verën e kaluar, “zikaltërit” e tentuan për të zëvendësuar Lukakun, por ky operacion mund të finalizohet këtë verë.
Drejtuesit “zikaltër” po monitorojnë edhe Gianluca Scamacca-n, por Sassuolo nuk kërkon të privohet nga lojtari pa 40 milionë euro, një shifër e lartë dhe pothuajse kjo pistë është zbehur.
Sa i përket ekipit nga Bergamo edhe me ndryshimin e pronësisë, marrëdhëniet mes klubeve mbeten të mira dhe Inter kërkon ta shfrytëzojë në maksimum, për të transferuar në Milano, sulmuesin kolumbian Zapata. Dy javë nga fundi i kampionatit, agjenti i Duvan, Schena u shpreh se ka ende kohë për të menduar për merkaton.
“Për momentin nuk ka absolutisht asgjë. Duvan ka një kontratë dhe është shumë mirë në Bergamo. Por ne e dimë se si është futbolli, gjithçka mund të ndodhë. Nuk ka pasur kontakte për momentin midis palëve, ka ende kohë deri në verë”-theksoi ai.
Zapata në këtë sezon ka zhvilluar 30 ndeshje dhe ka realizuar 13 gola, ndërsa sezoni i ri mund ta gjejë me ekip të ri, por me të njëjtat ngjyra.
