Connect with us

Hi, what are you looking for?

Futboll

Investimet e FSHF-së, nga Gjirokastra e deri në Shkodër, si po ndryshon infrastruktura sportive

Federata Shqiptare e Futbollit është duke punuar intensivisht në disa qytete të vendit me qëllimin për të përmirësuar infrastrukturën sportive dhe aktualisht janë disa kantiere ku po punohet njëkohësisht me fusha të reja që do të jenë gati të presin klube dhe ekipet fëmijësh. Ndërhyrjet në infrastrukturën sportive po kryhen që nga Gjirokastra e deri në Shkodër, me Federatën po financon këto investime të rëndësishme për komunitetet kudo në Shqipëri dhe në kuadër të projektit të 100 fushave.

Anëtari i Komitetit Ekzekutiv në FSHF, Arben Dervishaj ka shpjeguar ndërhyrjet që po bëhen në disa stadiume të vendit, teksa ka shpjeguar se nëpërmjet projektit 100 fushat, FSHF po synon të dyfishojë apo trefishojë numrin e fëmijëve që luajnë futboll në të gjithë vendin.

“Në ‘Niko Dovana’ ne kemi bërë rikonstruksionin total të fushës së stadiumit, që ishte i amortizuar dhe së shpejti ekipi i Teutës do të luajë në stadiumin e vet. Në këtë projekt kemi përfshirë edhe dy fushat e aneksit të stadiumit, me njërën që ka përfunduar tashmë pas ndërhyrjes dhe tjetra është në punim e sipër e pritet të jetë gati shumë shpejt për të pritur ekipet e moshave të Durrësit. Në strategjinë e FSHF-së është parashikuar që të shtojmë numrin e fushave ku të mund të luajnë fëmijët, në mënyrë që të dyfishojmë apo të trefishojmë numrin e fëmijëve që luajnë futboll. Kjo do të arrihet përmes investimeve që FSHF po kryen në shumë qytete të tjera, jo vetëm në Durrës. Ne i kemi kërkuar bashkive, por edhe Bashkisë së Durrësit konkretisht, që të vazhdojmë projektin e 100 fushave për fëmijët dhe për ekipet”, – thotë Dervishaj në intervistën për emisionin “Breaking” në Top News, duke shpjeguar në detaje edhe investimet dhe fushat ku aktualisht është ndërhyrë përmes investimeve të FSHF-së që po transformon dita ditës fytyrën e futbollit në vend.

“Në stadiumin e ri të Kukësit punimet kanë përfunduar, por për shkak të motit të keq dhe ngricave në këtë qytet që nuk e favorizon rritjen e barit, po presim që fusha të jetë në gjendje optimale. Po në Kukës po bëhet edhe një fushë e re nga e para që do të shërbej për stërvitjen e ekipeve. Kemi përfunduar fushën stërvitore të ekipit të Vllaznisë, që përmes investimit të FSHF u bë e mundur ndryshimi i tapetit. Ka përfunduar një fushë e re në Bulqizë me tapet artificial, një investim i përbashkët FSHF-bashki, ndërkohë që në Shijak është bërë rigjenerimi i fushës së stadiumit dhe impianti është pajisur me stola. Në stadiumin e Egnatias kemi ndërhyrë, duke financuar pajisjen e tribunës me stola gjithashtu. Në Tiranë në bashkëpunim me klubin e Partizanit kemi investuar në kompleksin e ri për ndërtimin e fushës, sistemin e ndriçimit dhe sediljet e stadiumit. Po ashtu te kompleksi i klubit të Tiranës kemi mundësuar rikonstruksionin e dy fushave të mëdha si edhe një fushe të vogël, ku mund të stërviten fëmijët”, – vijon anëtari i KE-së së FSHF-së.

Në fund, Dervishaj flet edhe për vendimet e fundit të Komitetit Ekzekutiv që ka miratuar investimet në disa fusha të tjera në Lushnje, Maliq, Gjirokastër si edhe katër fusha të reja për akademitë në qytetin e Tiranës.

“Ka nisur investimi i FSHF-së edhe në qytetin e Lushnjes, një projekt në bashkëpunim me bashkinë në kuadrin e projektit të 100 fushave, ku parashikohet të ndërtohen dy fusha me përmasa olimpike si edhe një fushë tjetër rreth 500 metra katror me bar artificial. Në të njëjtën kohë FSHF do të ndërhyjë edhe në fushën e stadiumit për ta kthyer në parametra optimalë. Kemi aprovuar një projekt pilot që nis nga Maliqi, ku do të bëhet një fushë stërvitore dhe njëkohësisht do ta ndihmojmë klubin vendas duke investuar edhe në fushën e stadiumit. Ne duam që të ndërtojmë brenda 2-3 vjetëve 100 fusha stërvitore për fëmijët. Së fundmi Komitetit Ekzekutiv miratoi edhe ndërtimin e katër fushave të reja që do të bëhen për akademitë në Tiranë, ndërsa në Gjirokastër kemi miratuar një fushë me bar artificial në zonën e Grehotit, edhe ky një investim i përbashkët FSHF-bashki. FSHF është e hapur për të bashkëpunuar me çdo klub, shoqatë, bashki, që janë të interesuara të bëhen pjesë e projektit të 100 fushave, ku federata ofron 50% të investimit në formë granti”, – përfundoi Dervishaj.

 

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...