Richarlison debutoi në një Botëror me dy gola. Sulmuesi i dhuroi Brazilit tri pikët e para në grup në takimin ndaj Serbisë, me golin e dytë që ishte fantastik. 25-vjeçari u transferua në merkaton e verës nga Evertoni te Tottenhami për 58 milionë euro, por e ardhmja e tij do të ishte në Serie A nëse Roma do të besonte tek aftësitë e tij.
Il Romanista zbulon prapaskenën e merkatos që lidhet me vitin 2017. Richarlison ishte 20 vjeç dhe aktivizohej në vendlindje me skuadrën e Fluminenses. Një avokat dhe menaxher nga Roma, i cili jetonte në Brazil, fluturoi drejt Trigorias, qendrës sportive të verdhekuqve, për t’ia propozuar Monchit, i cili mbante postin e drejtorit sportiv të Romës.
“Investo tek ky lojtar, kushton 7-8 milionë euro”, i kërkoi menaxheri Monchit, por ky i fundit nuk e cilësonte sulmuesin brazilian gati për aventurën italiane. Pak ditë më vonë përfundoi në Angli.
Drejtuesit e Watfordit paguan 12.4 milionë euro në arkat e Fluminenses dhe vetëm një vit më vonë e shitën tek Evertoni për 39.2 milionë euro. Te Roma janë penduar, ndërkohë që Richarlison, i cili sot kushton shumë miliona, po shijon Kupën e parë të Botës me Brazilin e tij.
