Argjentina arriti një fitore të madhe në sfidën e dytë të grupit C përball Meksikës me rezultatin 2-0. Pas një pjesë të parë të vështirë dhe pa rezultat skuadra e Lionel Scalonit arriti të reagonte dhe fillimisht zhbllokoi sfidën me Lionel Messin, ndërsa goli i dytë erdhi nga talenti i Benficës, Enzo Fernandez.
Shtatë herë fituesi i Topit të Artë shënoi një gol spektakolar dhe dhuroi një asist në golin e dytë dhe pas përfundimit të sfidës ai u shpall lojtari i ndeshjes. Në pronocimin për mediat Lionel Messi deklaroi se kjo ishte një fitore shumë e rëndësishme dhe pas këtij triumfi për Argjentinën nis një botëror tjetër, ku synimi kryesor është fitimi i kupës së botës.
“Ishte një ndeshje shumë e vështirë sepse Meksika ka një trajner të madh dhe ata janë një ekip i fortë. E dinim se fitorja varej nga ne dhe jemi të gjithë të gëzuar. Përpara sfidës ishim shumë në ankth sepse donim të kthenim çdo gjë në favorin tonë. Pjesa e parë ishte e vështirë pasi nuk gjetëm hapësira. Në pjesën e dytë pas shënimit të golit ne filluam dhe bëmë lojën tonë. Skuadra luajti një lojë të mrekullueshme. Tani ne duhet të mendojmë për atë që vjen më pas.
Kjo fitore ishte një domosdoshmëri. Na kushtoi shumë ndeshja e parë, por kjo erdhi prej faktit se shumë djem kanë botërorin e tyre të parë dhe përballë Arabisë luajtën ndeshjen e parë në një kupë bote. Prandaj ne ishim të qartë se duhet të fitonim përball Meksikës për të nisur një botëror tjetër”-tha Messi.
Sfida e radhës për Argjentinën do të jetë përball Polonisë. Skuadrës së Lionel Scalonit i duhet një tjetër fitore për të arritur kualifikimin për në raundin tjetër.
