Istanbulspor “i fiksuar” me shqiptarët, i bën ofertë një tjetër mesfushori

Enriko Papa ka mbyllur aventurën me Botosanin në elitën e kampionatit rumun teksa tashmë konsiderohet si një futbollist i lirë për të zgjedhur vetë të ardhmen e tij. Ish-mesfushori i Tiranës dhe Bylis, prej vitit 2018 ishte pjesë e Botosanit duke u shndërruar në një lider të skuadrës duke iu besuar edhe shiriti i kapitenit.
Megjithatë, pas katër viteve, duket se për 29-vjeçarin ka ardhur momenti për të përjetuar një eksperiencë të re dhe ofertat nuk mungojnë, madje një prej tyre vjen nga Turqia. Fjala është për klubin e Istanbulspor, që nga sezoni i ardhshëm do të jetë pjesë e Superligës turke.
Nëse marrëveshja mes Papës dhe Istanbulspor konkretizohet atëherë kolonia shqiptare në radhët e klubit turk do të shtohej edhe më shumë pasi kujtojmë se aktualisht në organikën e turqve janë Eduart Rroca, Kristal Abaza, Valon Et’hemi dhe Jetmir Topalli.
