Italia ka një arsye shumë të fortë për të kërkuar fitoren në “Loro Borici” ndaj Shqipërisë, edhe pse tri pikët me kuqezinjtë nuk do t’i vlenin asgjë sa i përket renditjes në grup, ku skuadra e Venturës është blinduar në vendin e dytë. “Të kaltrit” rrezikojnë të zbresin në vazon e dytë në shortin e play off-it nëse nuk fitojnë në Shkodër (kuptohet edhe në varësi të rezultateve të skuadrave që do të renditen të dytat në grupet respektive) dhe ky do të ishte një gabim i madh.
Për këtë arsye, kush mendon se Shqipëria ka avantazh faktin që Italisë nuk i rrezikohet pjesëmarrja në play off dhe mund të mos angazhohet maksimalisht, gabohet rëndë.
Pas përditësimit të renditjes së UEFA-s dhe në bazë të renditjes aktuale në grupe, në vazon e parë në short do të jenë Portugalia, Italia, Uellsi dhe Danimarka, ndërsa në të dytën Kroacia, Irlanda e Veriut, Suedia dhe Greqia.
Përfaqësuesja Italiane po kalon një moment të vështirë dhe vetëm një fitore me Shqipërinë mund të kthejë sadopak humorin në kampin e kaltër.
