Për Jack Grealish nuk duhet të ketë qenë një natë e lehtë. Lojtari i Manchester City-t, i cili hyri në minutën e 78-të të ndeshjes kundër Realit të Madridit, kur rezultati ishte 1-0 në favor të skuadrës angleze, pati disa raste për të mbyllur garën, por nuk arriti të gjente rrjetën. Pas eliminimit të rëndë, vjen dhe tallja për ish-in e Aston Villas. Në rrjet po qarkullon një postim i mesfushorit në Twitter i tetë viteve më parë.
Zotëria 100-milionësh (shumë që shpenzoi City për ta blerë), më 23 prill 2014, ditën e ndeshjes mes Realit të Madridit të Carlo Ancelottit dhe Bayernit të Mynihut, që atëherë drejtohej nga Guardiola, trajneri aktual i City-t, postoi një mesazh ku shprehte hapur simpatinë për klubin spanjoll: “Hala Madrid”. Edhe pse Grealish nxitoi që ta fshinte shpejt mesazhin, gjurma ka mbetur dhe tani ia plasin në fytyrë. Ai mesazh mbështetës ndaj “Los Blancos” është rikthyer në rrjet, duke i shkaktuar futbollisti anglez një siklet të madh.
