Abissnet Superiore

Java e 17 luhet në katër ditë, kulmon të hënën me derbin e kryeqytetit

Java e 16 e Abissnet Superiores do të mbyllet pasditen e të mërkurës me përballjen Kukësi-Dinamo, e planifikuar për në “Elbasan Arena”, pavarësisht vullnetit të verilindorëve për të luajtur në “Kukësi Arena”, impiant që nuk ka marrë ende miratimin e ekspertëve.

Ndërkohë është publikuar edhe kalendari i javës së 17, me 5 ndeshjet që do të shpërndahen në katër ditë të ndryshme, duke nisur nga e premtja e deri të hënën, që do të kulmojë me derbin e kryeqytetit, Dinamo-Tirana.

Kështu të premten Vllaznia do të kërkojë rikthimin te fitorja, pasi do të presë në “Loro Boriçi” Egnatian, me rrogozhinasit që po kalojnë një moment mjaft të vështirë dhe kanë pësuar shumë ndryshime në organikë gjatë merkatos së janarit.

Megjithatë problem i kuqebluve mbetet finalizimi, pasi u bënë disa ndeshje radhazi që skuadra shfaqet solide në mbrojtje, por shpërdoron mundësi pa fund dhe ka lënë pikë të rëndësishme edhe në dy përballjet e fundit, që kanë qenë ndeshje direkte ndaj Kukësit e Tiranës.

Të shtunën Teuta do të përballet me Laçin në Rrogozhinë, me durrsakët që janë duke kaluar një moment mjaft të vështirë dhe nga kampionë në fuqi, po luftojnë për mbijetesë, teksa ndaj kurbinasve do të kërkojnë një 3-pikësh kthese.

Nga ana tjetër skuadra e Mirel Josës vinte pas 5 fitoresh radhazi, që e ngjitën në grupin e pretendentëve për titull, por këtë fundjavë nuk shkuan përtej një barazimi pa gola në transfertën ndaj Skënderbeut.

Po të shtunën në orën 13:45, Partizani i Dritan Mehmetit do të presë Kastriotin në “Elbasan Arena”. Të dy skuadrat kanë ndryshuar shumë gjatë ndërprerjes së kampionatit, duke u besuar Dritan Mehmetit dhe Emiliano Çelës pankinat përkatëse, teksa të dy debutuan me fitore këtë fundjavë.

Të dielën Kukësi do të luajë sërish si pritës, këtë herë ndaj Skënderbeut, por sërish do t’i duhet të shtegtojë, pasi sfida e radhës do të mbahet në “Loro Boriçi”, në orën 20:45, me shpresën që do të jetë ndeshja e fundit larg “Kukësi Arenës”.

E hëna është rezervuar për derbin e kryeqytetit, Dinamo-Tirana, që do të startojë në orën 19:45 në “Air Albania”, koha ideale për të mbushur stadiumin dhe për të shijuar një 90-minutësh mjaft të luftuar.

Bardheblutë kryesojnë me meritë, pavarësisht se vuajtën jo pak për të marrë një pikë ndaj Vllaznisë të shtunën, ndërsa Dinamo nuk e ka bërë ende debutimin zyrtar për 2022-shin, por ndryshimet në merkato, premtojnë për një ekip me fytyrë krejtësisht tjetër nga ajo e pjesës së parë të kampionatit.

Të gjithë sfidat do të mund t’i ndiqni live dhe ekskluzivisht në ekranin e SuperSport, ashtu si emisionin dedikuar futbollit shqiptar, “Gol pas Goli”, që do të vijë me analiza, komente e intervista para dhe pas çdo ndeshjeje.

Të Fundit

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency