Joao Mario paralajmëron Milanin. Mesfushori i zikaltërve në prag të derbit të Madoninës shfaqet entuziast dhe i karikuar. Portugezi deklaron se skuadra në krahasim me sezonin e kaluar është më e organizuar dhe se ndaj Milanit misioni i vetëm është fitorja. Në një intervistë në mediat italiane, portugezi nuk harron të komplimentojë teknikun Luciano Spalletti, që sipas tij, deri tani ka arritur të bëjë një punë shumë të mirë.
“Po kalojmë një moment të mirë dhe duam të fitojmë përballë Milanit. Shpresoj që edhe tifozët të na ndihmojnë në arritjen e këtij objektivi. Në krahasim me sezonin e kaluar, Interi ka ndryshuar shumë, jemi më të organizuar. Spalletti i ka dhënë një tjetër imazh ekipit dhe puna e tij është forcë për ne. Kam biseduar me të dhe sigurisht që edhe dëshira e tij është që të fitojmë në derbi.”
Më pas mesfushori tregoi se ka patur një bisedë me shokun e tij të skuadrës në Kombëtaren Portugeze, që njëkohësisht është dhe sulmuesi i Milanit, Andre Silva, të cilin në derbi do ta ketë rival. Ai theksoi se për momentin të dy po mendojnë për të kualifikuar Portugalinë në botëror, më pas do të fokusohen te përplasja në derbin e Milanos.
