Monako vazhdon të jetë ‘supermarketi’ më i preferuar i klubeve elitare të Europës. Së fundi, janë italianët e Juventusit, që kanë shprehur interes të fortë për mesfushorin Fabinho. Drejtuesit e bardhezinjve duket se kanë bërë një ofertë zyrtare ndaj Monakos, plot 60 milionë euro për afrimin e brazilianit që në muajin janar.
Mesfusha duket se është ‘thembra e Akilit’ për Juventusin aktual, me Miralem Pjaniç, që nuk po përshtatet duke luajtur para mbrojtjes dhe me Sami Khedira-n, që vuan nga dëmtimet e shpeshta. Pikërisht për këtë arsye, bardhezinjtë janë gati t’i japin Allegrit mesfushorin që i duhet, për të përballuar dhe qenë konkurrues, në pjesën e dytë të sezonit.
Klubi i Principatës pa që në verë t’i largoheshin disa nga futbollistët më të rëndësishëm, si Mbappe, Bakayoko, Bernardo Silva, Mendy, etj., por kjo nuk ka ndikuar aspak në paraqitjen e ekipit në fushë. Fabinho është një nga liderat aktualë të ekipit, bashkë me Lemar dhe Falcao, ndaj vështirë se Monako do të pranonte të privohej nga shërbimet e tij, në mes të sezonit.
