Connect with us

Hi, what are you looking for?

Serie A

Juve fiton mes polemikash derbin e Italisë dhe shpreson për Champions-in

Juventus fiton mes polemikash derbin e Italisë ndaj Interit dhe mban gjallë shpresat për një vend në zonën Champions, pasi ngjitet përkohësisht në vendin e katërt, duke parakaluar Napolin, që luan nesër ndaj Fiorentinës.

Arbitri Gianpaolo Calvarese u bë protagonist absolut në “Allianz Stadium” me një sërë vendimesh të dyshimta, por nëse tre herë u shpëtua nga VAR-i, në fund refuzoi ndihmën e teknologjisë, duke akorduar një penallti vendimtare për suksesin e bardhezinjve.

Gjithçka nisi në minutën e 23-të, kur pas një kontakti të dyshimtë në zonë, arbitri lejoi vijimin e lojës, por i thirrur nga VAR-i, rishikoi aksionin dhe akordoi penallti për Juventusin e karton të verdhë për Matteo Darmian.

Nga pika e bardhë shkoi Cristiano Ronaldo, goditja e të cilit u grushtua nga Handanovic, por portugezi u tregua i shpejtë për të shtyrë në rrjetë topin e kthyer nga portieri slloven dhe për t’i dhënë avantazhin Juventusit.

Vetëm pak minuta më vonë, VAR ndihmoi sërish Calvaresen, këtë herë për të dhënë një penallti në favor të Interit, pasi kryesori nuk e ka një shkelje të De Ligt ndaj Lautaros, ndërsa 11-metërshin e ekzekutoi saktë Lukaku, duke rikthyer baraspeshën.

Pjesa e parë do të mbyllej në avantazh të bardhezinjve, që shënuan me anë të Cuadrados, i cili lëshoi një të djathtë të fortë nga jashtë zone dhe topi i devijuar nga mbrojtësit zikaltër përfundoi në rrjetë.

Në minutën e 55-të Bentancur shkaktoi një ndërhyrje nga mbrapa ndaj Lukakut dhe la Juventusin me 10 lojtarë, pasi mori kartoni ne dytë të verdhë, ndërsa më pas sfida u zhvillua në gjysmëfushën e bardhezinjve.

Pas disa rasteve të mira shënimi, zikaltrit rikthejnë baraspeshën në minutën e 83-të, por edhe këtë herë Calvarese shpëtohet nga VAR-i. Chiellini mban Lukakun në zonë dhe në tentativë për të larguar topin, e devijon në rrjetë, teksa arbitri akordoi faull për Juventusin, por vetëm pasi rishikoi aksionin në VAR, ndryshoi vendim, duke dhënë golin e barazimit për zikaltrit dhe ndëshkuar kapitenin e Juves.

Por protagonizmi i Calvareses nuk përfundoi këtu, pasi vetëm një minutë më vonë akordoi tjetër penallti për Juventusin, këtë herë pas një kontakti të kërkuar me çdo kusht nga Cuadrado dhe pavarësisht protestave të zikaltërve, refuzoi të rishikojë aksionin në VAR.

Nga pika e penalltisë shkoi vetë Cuadrado, që shënoi golin me vlerë 3-pikëshe për bardhezinjtë, ndërsa në shtesë edhe Brovoziç u ndëshkua me karton të kuq, duke mbyllur para kohe sezonin. Me këtë fitore Juventusi ngjitet në kuotën e 75 pikëve, po aq sa ka edhe Milani, megjithatë zona Champions nuk është siguruar ende.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...