Futbolli europian nuk mungon në ekranin e Supersport as këtë të hënë. Vëmendja më e madhe do të jetë te sfida që do të mbyllë javën e 23-të në Allianz Stadium mes Juventusit dhe Crotones. Pikën e parë në këtë kampionat skuadra kalabreze e mori pikërisht përballë bardhezinjëve në një barazim 1-1 në fazën e parë dhe ekipi i Pirlos duhet ta vlerësojë maksimalisht Crotonen nëse dëshiron të marrë maksimumin e pikëve për të ruajtur hapin e skuadrave të tjera krysuese dhe për të bërë një kapërcim domethënës në renditje nga vendi i 6-të në të 3-in. Pa emra të rëndësishëm si Bonucci, Chiellini, Cuadrado, Arthur, Rabiot e Dybala, Juventusi do të përpiqet me dyshen Ronaldo-Kulusuveski përpara të rikthehet te fitorja dhe të marrë tre pikët e radhës në kampionat. Këtë sfidë do të keni mundësi ta ndiqni live në ekranin e Supersport ashtu si edhe duelin që mbyll javën e 24-t të La Ligas mes Osasunas dhe Sevillas me andaluzianët që janë dukshëm të avantazhuar për të marrë maksimumin e pikëve dhe për t’u ngjitur përkohësisht në vendin e 3-të të renditjes.
