Shkëndija e Tetovës vijon përforcimin e ekipit gjatë këtij sezoni të merkatos dhe pas sulmuesit shkodran Rubin Hebaj, pasditen e djeshme ka prezantuar zyrtarisht edhe brazilianin Igor Wanderson Da Silva.
Ky i fundit është 24 vjeç dhe luan si sulmues krahu, ndërsa me klubin tetovar ka nënshkruar një kontratë 1.5-vjeçare dhe është vënë menjëherë nën urdhrat e trajnerit Ernest Gjoka për të nisur përgatitjet për pjesën e mbetur të sezonit.
I lindur në Araraquara të Brazilit, Igor Wanderson Da Silva zbarkon për herë të tretë në Europë, pasi më herët ka luajtur për skuadrat turke të Gaziantep dhe Bursaspor, ndërsa tani do të jetë pjesë e kuqezinjve nga Tetova.
“Është një ndjenjë shumë e mirë dhe jam i lumtur që jam këtu. Është gjithçka e re për mua dhe çdo ditë po mësoj për ekipin e qytetin, por mund të them se më ka pëlqyer shumë ajo që kam parë gjatë këtyre dy ditëve të para. Kam biseduar me drejtuesit e klubit, që më kanë thënë se objektivat janë titulli kampion dhe ecuria në Europë, ambicie këto që përputhen plotësisht me të miat. Kur më erdhi oferta kam hulumtuar për klubin dhe qytetin dhe ishte dashuri në shikim të parë. Nga unë mund të pritet shumë përkushtim për klubin. Jam një tip shumë profesional, premtoj shumë angazhim brenda fushës, gola dhe paraqitje të mira”, tha Da Silva në fjalët e para si sulmues I Shkëndijës.
