Khvicha Kvaratskhelia është surpriza më e bukur e këtij sezoni në Serie A. Talenti gjeorgjian është përshtatur për mrekulli te Napoli, ekip që kryeson kampionatin italian me distancë pikësh.
8 gola dhe 11 asiste numëron 21-vjeçari në Serie A. Ndërkohë, sulmuesi i majtë ka shfaqur potencialin e tij edhe në Champions me dy gola dhe tri asiste.
Napoli pret Cremonesen në “Diego Maradona” të dielën. CEO i Cremoneses, Ariedo Braida është ndalur te Kvara në prononcimin për shtypin.
“Napoli është një skuadër e fortë, ata do e fitojnë kampionatin. Kvara si Kaka? Ai mund të bëjë një karrierë si braziliani, por edhe si Shevchenko.
Kvara di të driblojë kundërshtarët që ka përballë. Kjo është gjëja më e rëndësishme në futbollin modern”, deklaroi Braida.
Ky i fundit punoi për vite me radhë si drejtues i Milanit, madje ishte personi që insistoi për veshjen kuqezi të ukrainasit Shevchenko.
