Connect with us

Hi, what are you looking for?

Moshat Kuqezi

Ka realizuar 12 gola, njihuni me Stiven Shpendin, 19-vjeçarin “kuqezi” që po spikat te Çezena

12 gola të shënuar, një shifër mjaft e mirë për një lojtar 19-vjeçar. I lindur në Itali, Stiven Shpendi është pjesë e skuadrës së Çezena në Serie C. Për të riun ky është sezoni i tij i parë si profesionist që luan rregullisht dhe po mundohet të ndihmojë skuadrën e tij të ngjitet në Serie B. I riu është bërë pjesë e rubrikës “Talenti shqiptar” në “Fshf.org” dhe rrëfen si nisi gjithçka për të, arritjet e deritanishme dhe ëndrrat që ka.

“Lidhja me futbollin për mua ka nisur që në moshën 5 vjeçare. Babai është personi që më ka shtyrë drejt këtij sporti”, tregon fillimisht Stiven, i cili e ka gati përgjigjen kur e pyet se çfarë e shtyn për t’u rritur profesionalisht. “Pasioni, pasioni”, thekson sulmuesi, ndërkohë që mbështetja për të dhe vëllain e tij binjak, Kristianin që luan po ashtu te Çezena, është e madhe.

Lexo edhe:

“Babai është ai që na këshillon më shumë të dyve, por pranë nesh është e gjithë familja”, shton sulmuesi, i cili tani është pjesë e Shqipërisë U-21 të drejtuar nga Alban Bushi. Debutimin si kuqezi Stiven e ka pasur me Shqipërinë U-19 në kualifikueset e EURO 2022, në një duel të zhvilluar në “Arena Egnatia” në Rrogozhinë.

“Ftesa për te Shqipëria U-19 ishte një surprizë, për mua dhe për vëllain tim. Jemi ndjerë shumë krenarë. E luajtëm ndeshjen e parë kundër Francës dhe grumbullimi për ne ishte shumë pozitiv”, vijoi Shpendi, i cili ka disa gjëra për të cilat mund të krenohet edhe pse është në hapat e parë të karrierës.

“Fitorja e kampionatit ‘Primavera’ më bën të ndihem krenar, sikurse edhe kalimi në skuadrën e të Çezenës”, shprehet Stiven. Ai është i lumtur për sezonin që po bën në Serie C dhe për golat e shënuar. Të njëjtën gjë me fanellën e Çezenës e ka bërë edhe Erion Bogdani, rekordmeni i golave të shënuar me fanellën e Shqipërisë.

“Sigurisht që e njohim Bogdanin si lojtar të kombëtares shqiptare. Këtu në Çezena na e kanë përmendur disa herë”, deklaron futbollisti i skuadrës italiane, i cili nuk dëshiron të përmendë emra kur pyetet se cili futbollist shqiptar apo i huaj e motivon. “I ndjek të gjithë sulmuesit e kombëtares, duke shpresuar që një ditë të bëhem si ata”.

Por si është të luash me vëllain në një ekip? Stiven mendon se është diçka e veçantë: “Deri tani unë dhe Kristiani kemi luajtur gjithmonë bashkë dhe është një sensacion unik”. Në Itali janë disa futbollistë të kombëtares që aktivizohen në Serie A dhe Stiven dëshiron t’u bashkohet atyre së bashku me Kristianin.

“Është një gjë kaq e bukur që futbollistët shqiptarë janë kaq kompetitivë në Serie A. Shpresojmë që një ditë që edhe unë e Kristiani të shtohemi në listën e atyre që e bëjnë diçka të tillë”. Sulmuesi ka besim se Shqipëria në vazhdim do të rritet edhe më shumë në futboll.

Shqipëria ka shumë potencial, janë të shumtë lojtarët që luajnë në kampionate të forta në Europë. Shpresojmë që edhe ne të japim kontributin tonë”, shprehet Stiven, i cili në fund haptazi tregon edhe dëshirën e tij të madhe. “Ëndrra ime është të luaj në një klub prestigjioz dhe pse jo ditë të dëgjoj në fushë himnin e Champions League”, përfundon Shpendi, një nga të rinjtë e talentuar të kombëtareve të moshave.

Lajme të tjera

Futboll

Vinicius Junior ka përfunduar në shënjestrën e ish-futbollistit brazilian, Carlos Alberto Gomes, i njohur si Pintinho. Ky i fundit që ka bërë karrierë në...

Euro 2024

Një përplasje e rëndë ndodhi në ndeshjen Skoci-Hungari, me lojtarin e hungarezëve Barnabas Varga që ka rënë pa ndjenja në tokë pas tronditjes së...

Kombëtare

Armando Broja do të largohet nga Chelsea këtë verë. Për sulmuesin ka patur oferta nga disa skuadra europiane, por SuperSport mëson ekskluzivisht nga burime...

Euro 2024

Trajneri i Spanjës, Luis De La Fuente tha për mediet në prag të ndeshjes ndaj Shqipërisë që luhet këtë të hënë për llogari të...