Connect with us

Hi, what are you looking for?

Formula 1

Kalimi i Sainz te Ferrari rrit vlerën e të drejtës televizive të Formulës 1 në Spanjë

Zyrtarizimi i kalimit të pilotit iberik Carlos Sainz Jr në radhët e Ferrari-t ka shtuar ndjeshëm entuziazmin në gadishull, duke sjellë edhe një efekt të menjëhershëm në Spanjë, përsa i përket të drejtave televizive. Bëhet fjalë natyrisht për një transferim që do të mundësohet vetëm pasi të përfundojë edhe kontrata aktuale që lidh 4 herë kampionin e botës Sebastian Vettel me markën e njohur italiane, por sidoqoftë efekti Sainz fillon të ndihet gjithmonë e më shumë dhe kalimi i 25-vjeçarit madrilen te ekipi nga Maranello bën që oferta e të drejtës televizive në Spanjë për Formulën 1 të arrijë nivelin e tre shifrave.

Në këtë vend ka filluar një betejë e vërtetë ndërmjet rrjeteve DAZN dhe Movistar për të siguruar të drejtat televizive të transmetimit të Çmimeve të Mëdha në sportin më të lakmuar të automobilizmit dhe natyrisht që kalimi i pilotit aktual të ekipit McLaren në radhët e “kokëkuqes” ka influencuar duke shtuar ndjeshëm interesin për ndjekjen e garave. Formula 1 është ende duke vuajtur pasojat e mbylljes dhe karantinimit për shkak të pandemisë së koronavirusit, megjithatë gjërat pritet të ndryshojnë shpejt dhe ky sport natyrisht tërheq shumë dhe mbetet një ndër më të ndjekurit.

Spanja nuk ka më Fernando Alonson, kështu që heroi dhe piloti i vetëm iberik në Formula 1 mbetet pikërisht Carlos Sainz Jr. Karriera e tij po bëhet përherë e më e suksesshme dhe vlen të theksohet fakti që piloti madrilen e mbylli edicionin e kaluar me McLaren në vendin e gjashtë, në klasifikimin e përgjithshëm të pilotëve, në kuotën e 96 pikëve, madje në garën e parafundit në Çmimin e Madh të Brazilit 25-vjeçari u pozicionua në podium. Kontrata aktuale 3-vjeçare në Spanjë përsa i përket të drejtave televizive të transmetimit të Formulës 1 mbyllet pikërisht në fundin e këtij sezoni, kështu që vlera pritet të rritet ndjeshëm, për një ofertë që pritet të luhatet në varësi të kushteve, pra për një periudhë 3 ose 4-vjeçare.

Ferrari është skuadra më e suksesshme në gjithë historinë e këtij sporti dhe sigurisht ekipi italian përfaqëson ëndrrën e çdo piloti në Formula 1. Carlos Sainz Jr do të bëhet piloti i tretë spanjoll në histori që garon për makinën e kuqe, pas pilotëve të tillë si Fernando Alonso dhe Alfonso de Portago dhe i gjashti gjithsej pas emrave si Marc Gene, Pedro de la Rosa që ishin pilotë rezervë dhe kanë punuar si testues për përmirësimin e makinës, ndërsa asturiani Julian Gonzalez Pola që për hir të së vërtetës nuk figuron në statistikat zyrtare ka qenë piloti i parë spanjoll që ka drejtuar një makinë private Ferrari në gara, pak përpara se të fillonte kampionati i vërtetë i Formulës 1.

Natyrisht të drejtat televizive mund të prekin nivele të tjera, nëse në këtë sport do të rikthehet 2 herë kampioni i botës Fernando Alonso, sidoqoftë për momentin të drejtat televizive janë në duart e kompanisë Movistar. Në fakt Movistar është nën presionin e vazhdueshëm të platformës britanike DAZN, që deri tani ia ka dalë mbanë për t’i rrëmbyer konkurrencës spanjolle kampionatin botëror të motoçiklizmit. Kompania britanike po shtrihet gjithmonë e më shumë dhe po fiton goxha shikueshmëri dhe me nevojën për të fituar akoma më tepër popullaritet DAZN po shtrin tentakulat edhe drejt sportit më të lakmuar të automobilizmit.

Sipas “Periodico di Catalunya” rivaliteti është pikërisht ndërmjet këtyre dy kompanive dhe asnjë tjetër nuk është në gjendje për të paguar shifra të tilla. Oferta pritet të shkojë në 100 milionë euro, nga 65 milionë që është aktualisht. Largimi i Alonsos nga ky sport si dhe anulimi i shumë garave për shkak të pandemisë së virusit COVID-19 uli ndjeshëm shikueshmërinë, por gjithsesi drejtuesit e Telefonica Movistar deklaruan se e transmetojnë Formulën 1 që nga viti 2014 dhe nuk kanë ndërmend për të hequr dorë pikërisht tani.

Në edicionin e fundit mesatarja e spektatorëve që ndiqnin garat në Spanjë nëpërmjet platformës Movistar ishte 150.000 për çdo Çmim të Madh, pra 30% më pak se sa në vitin 2018. Kështu nga një krizë e mundshme duket se po kalohet te euforia për uljen e pilotit Carlos Sainz Jr në makinën e kuqe. Në krahun tjetër drejtuesit e platformës DAZN kanë shfaqur hapur ambiciet e tyre, duke marrë përveç garave në Moto GP e Superbike edhe të drejtat e aktiviteteve të makinave në kampionatin botëror të Rally-t apo dhe një kompeticion tjetër siç është Rally i Dakarit.

Lajme të tjera

Futboll

Skuadra e Mechelen, e drejtuar nga Besnik Hasi, rikthehet tek fitorja në kampionat belg në play off-in e grupit të Conference League. Pas humbjes...

Premier League

Armando Broja mund të përdoret nga Chelsea për të balancuar financat, duke u nxjerrë në shitje. Blutë kanë shpenzuar shuma marramendëse në sesionet e...

La Liga

Që kur Xavi Hernandez njoftoi se do të largohej nga Barcelona në fund të sezonit, gjërat kanë filluar të shkojnë më mirë te “Blaugrana”....

Futboll

Fernando Santos nuk është më trajner i Beshiktashit, ka bërë të ditur klubi nga Stambolli këtë të shtunë. Vendimi u mor pas barazimit (1-1)...