Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kategoria Superiore

Kampionat i paparashikueshëm, 4 skuadra synojnë titullin

Kampionati shqiptar prej kohësh është përfshirë nga rivaliteti i ashpër si në garën për titull, ashtu edhe për Europën apo mbijetesën. Edhe ky edicion nuk përjashtohet nga tradita e viteve të fundit edhe pse ndoshta ato që mund të ndryshojnë janë emrat e skuadrave në arritjen e objektivave. Gara për titull pritet të jetë sërish e fortë, me Partizanin që synon të ruajë kurorën për një tjetër edicion.

Të kuqtë kanë ndryshuar timonier dhe nën drejtimin e italianit Franco Lerda synojnë të mbrojnë statusin e kampionit. Gjithashtu edhe organika ka ndryshuar, ndërkohë që të kuqtë presin ende të mësojnë nëse ylli i skuadrës Jasir Asani do të jetë pjesë e kampionëve për edicionin e ri apo largimi i tij do të mbushë arkat e klubit. Sfidanti numër një i kryeqytetasve është Kukësi, që sezonin e shkuar u mjaftua me vendin e dytë, duke mos arritur dot të fitojë duelin me të kuqtë.

Verilidnorët kanë ndryshuar trajnerin duke ulur në stol një njohje të vjetër të kampionatit si Shpëtim Duro, por gjithashtu janë larguar dhe pjesa më e madhe e titullarëve. Edhe pse nuk e kanë bërë publik objektivin, Teuta e këtij edicioni niset si një nëndetëse me synimin për t’i shkuar deri në fund garës për të mbretëruar në kampionat. Projekti i nisur edicionin e kaluar me Bledi Shkëmbin në krye vijon ende edhe pse skuadra ka pësuar disa ndryshime të rëndësishme, sidomos në repartin e prapavijës. Megjithatë “djemtë e detit” janë një grup i konsoliduar dhe i mbushur me talente, të aftë për të sulmuar titullin.

Tirana ka lëvizuar në merkato duke afruar emra cilësorë edhe pse fjala titull ende nuk është përmendur. Vitin e ardhshëm bardheblutë festojnë 100 vjetorin e themelimit dhe festimet për këtë ditëlindje të shënuar kërkojnë t’i bëjnë me trofeun në duar. Megjithatë 24 herë kampionët duhet të tregojnë në fushë pasi nga sezoni në sezon kanë zhgënjyer me rezultatet e arritura.

Laçi është skuadra më e paparashikueshme, një ekip që pretendimet minimale i ka për Europën, por nuk përjashtohet mundësia që këtë vit ambiciet të jenë më të mëdha. Ndërkohë për herë të parë Skënderbeu zbret në fushë pa patur objektiv kryesor titullin edhe pse nuk përjashtohet mundësia për të qëndruar në trenin e kryesuesve.

Për momentin për nga mënyra e organizimit dhe organikës janë 4 skuadra që pritet të garojnë për mbijetesë. Flamurtari dhe Luftëtari kanë nisur me kohë vonesë përgatitjet si dhe ende nuk kanë të përcaktuar organikën e grupit që do të përballojë sezonin dhe shihen si skuadrat më të rrezikuara për të rënë nga Superioria. Në këtë vorbull janë dhe dy ekipet e ngjitura në elitë, Bylis dhe Vllaznia që kanë ruajtur pjesën më të madhe të grupit nga edicioni i shkuar për ta pasuruar me elementë që mund të rrisin cilësinë në një garë që parashikohet e egër.

 

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...