Connect with us

Hi, what are you looking for?

Premier League

Kampionati anglez ngre siparin, rritet ndjeshëm rivaliteti për titullin kampion

Duket sikur ndodhi vetëm një ditë më parë që Premier League uli perdet, për të mbyllur me sukses shfaqjen e sezonit të kaluar futbollistik dhe në fakt gjithçka rikthehet shpejt në kohë për të filluar nga e para. Nga Arsenali te Arsenali, sërish gjithçka lidhet me emrin e “topçinjve”.

Ishte ekipi i drejtuar nga trajneri i ri spanjoll Mikel Arteta, që më datë 1 gusht, pra vetëm gjashtë ditë pas mbylljes së kampionatit në Premiership përmbysi disavantazhin për të triumfuar 2-1 në FA Cup, duke mposhtur në “Wembley” në derbin londinez Chelsea-n, megjithatë privilegjin për të nisur sezonin natyrisht pas suksesit në Kupën e Federatës e pati sërish Arsenali, që më datë 29 gusht po në “Wembley” ia doli mbanë për të thyer kampionët në fuqi të Liverpulit, pas gjuajtjes së 11-metërshave, në sfidën në Community Shield pra Superkupën e Anglisë, triumf që i dha mundësinë 38-vjeçarit bask për të fituar dy trofe në më pak se një muaj.

Si për ironi të fatit vetëm 48 ditë pas mbylljes së edicionit të kaluar do të jenë pikërisht “topçinjtë” që do të ngrenë siparin në “Craven Cottage”, në derbin londinez me Fulham-in, që u rikthye pa humbur kohë në elitën e futbollit anglez të klubeve pasi qëndroi për vetëm një vit në Championship.

Edicioni i sivjetshëm do të jetë i 29-i në Premier League, duke qenë se kampionatet e tyre të para nga 1888-1892 “shpikësit e futbollit” i quajtën me krenari Football League, pra Liga e Futbollit, pak a shumë histori e njëjtë si edhe me Football Association, Shoqata e Futbollit dhe jo Federata Angleze e Futbollit.

Për një shekull nga 1892 – 1992 kampionati anglez u quajt Football League First Division, për të mbërritur më pas në kohët moderne dhe ndryshimet rrënjësore që ka pësuar në strukturë, organizim dhe sidomos në aspektin financiar ky aktivitet. Një model i ndryshëm, i filluar pra vetëm në vitin 1992, por që e shndërroi shpejt kampionatin anglez në lokomotivën e kompeticioneve në rang klubesh, në futbollin botëror dhe natyrisht një shembull suksesi që e bën të pakrahasueshëm Premiership-in me aktivitetet e tjera të rëndësishme që zhvillohen në Kontinentin e Vjetër.

Gjithçka ngjan gati – gati me një frymëmarrje të thellë dhe pas disa ditëve të ngjeshura me futbollin e pazakontë të Kupave të Evropës, disa javëve pushim dhe ndeshjeve të Ligës së Kombeve që shërbyen si aperitiv për të gjithë klubet gjithçka është gati për të startuar edicionin e ri të kampionatit anglez.

Sezonin e kaluar Liverpuli fitoi titullin e parë në Premiership dhe të parin në historinë e klubit nga Merseyside pas një mungese 30-vjeçare. Ekipi i drejtuar nga trajneri Jurgen Klopp e fitoi titullin 7 javë parë përfundimit dhe me plot 18 pikë më shumë se sa Manchester City i Guardiolës. Me 99 pikë të grumbulluara sezonin e kaluar dhe 97 pikë të tjera në edicionin e mëparshëm, strategu gjerman dhe të kuqtë e kanë ngritur vërtet shumë lart stekën, kështu që tani klubi nga Merseyside është i dënuar për t’iu përgjigjur pikërisht këtij standardi që vendosi vetë.

Duke kthyer trofeun më të lakmuar në ishull pas një mungese të gjatë prej plot tre dekadash 53-vjeçari shvab bashkë me futbollistët e tij shkruan një faqe të ndritur në historinë e klubit, megjithatë më e vështira fillon pikërisht tani, teksa ekipi i Liverpulit do të nisë rrugëtimin e ndërlikuar dhe sfidën jashtëzakonisht të vështirë të mbrojtjes së titullit. Një mision tepër i vështirë, duke patur parasysh që në Angli në 8 sezonet e fundit titulli në Premier League është fituar nga 5 skuadra të ndryshme.

Afati i fundit për mbylljen e periudhës së transferimit të verës është data 5 tetor, e natyrisht deri atëherë mbeten edhe disa javë të mira për të bërë përforcimet e nevojshme, e për të harruar në njëfarë mënyre humbjen e sulmuesit Timo Werner që u rrëmbye nga drejtuesit e Chelsea-t, sidoqoftë ndeshja e Superkupës tregoi një lloj ngërçi, apo konsumimi në aspektin e lojës dhe pavarësisht se Liverpooli konsiderohet si një ndër ekipet më të mirë në Evropë, përsëri diçka mund të ishte bërë për të fuqizuar stolin dhe shtuar alternativat për trajnerin nga Stuttgarti.

Në mënyrë të kuptueshme të gjithë presin që Liverpooli dhe Man. City të diktojnë ritmin përsëri që në start, megjithatë ndryshe nga herët e tjera këtë radhë kundërshtarët kanë reaguar mirë duke marrë masat e tyre për t’u përforcuar. Spikasin blutë e Chelsea-t, megjithatë prapa nuk mbetet as klubi i “djajve të kuq”, bashkë me Arsenalin, në një kohë kur edhe vetë City i Guardiolës është fuqizuar me Nathan Ake dhe Ferran Torres, madje “citizens” po bëjnë çmos për të çimentuar mbrojtjen, teksa kërkojnë me ngulm një lojtar si Kalidou Koulibaly.

Natyrisht skuadrat favorite për Zonën Champions mbeten pak a shumë po ato, megjithëse për hir të së vërtetës ekipe si Arsenal, Leicester City dhe Tottenham Hotspur nuk duket se janë po aq të kompletuar në stol si edhe klubet e tjerë, ndërkohë mbetet për t’u parë se çfarë do të jenë në gjendje për të arritur sivjet edhe “ujqërit” e Wolverhampton-it.

Sivjet nga Championship-i u ngjit treshja Leeds United, West Bromwich Albion dhe Fulham, sidoqoftë në sezonin që bëhet gati të fillojë pritet që Leeds-i të zëvendësojë Sheffield United, për t’u shndërruar në ekipin surprizë të këtij edicioni, falë ideve tepër të veçanta të “el Loco”-s, pra trajnerit të tyre argjentinas Marcelo Bielsa.

Një betejë e ashpër pritet mbi të gjitha në gjysmën e dytë të klasifikimit të përgjithshëm, pasi rivaliteti është rritur ndjeshëm dhe skuadrat janë pak a shumë aty aty, ndërkohë me kureshtje pritet gjithashtu edhe rivaliteti për golashënuesin më të mirë të kampionatit. Sezonin e kaluar ishte sulmuesi i “dhelprave” Jamie Vardy, që mposhti për vetëm një gol më tepër lojtarin e “topçinjve” Pierre–Emerick Aubameyang, ndërsa këtë herë përveç dyshes së Liverpulit Salah – Mane apo edhe binomit të Man. City-t Aguero – Sterling do të jetë gjithashtu edhe artilieri i përfaqësueses Harry Kane.

Sakaq bookmakers-at kanë nxjerrë edhe emrat e parë që rrezikojnë shkarkimin dhe në krye të listës qëndron trajneri i West Ham United David Moyes, i ndjekur nga tekniku i Fulham-it veterani Roy Hodgson, Scott Parker i Fulham-it, Dean Smith i Aston Villa-s dhe Steve Bruce që drejton klubin e Newcastle United.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...