Pasi ngriti siparin dje me debutimin e Cristiano Ronaldos dhe supersfidën Lazio-Napoli, Seria A do të vijojë sot me 5 takime të tjera të javës së parë, pasi dy prej tyre u shtynë për shkak të tragjedisë së Gjenovës dhe një do të luhet të hënën.
Kështu në orën 18:00, Roma do të debutojë në transfertën ndaj Torinos. Verdhekuqtë, që mbyllën sezonin e kaluar në vendin e tretë dhe arritën deri në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve, kanë zhvilluar një merkato mjaft interesante këtë verë.
Pritet me interes fakti se si do t’i impenjojë trajneri Di Francesco më tepër se 10 futbollistët e rinj që mori dhuratë këët verë, për më tepër ndaj një kundërshtari si Torino, që i ka hapur punë thuajse gjithmonë Romës.
Këta të fundit ishin mjaft aktivë dje, në ditën e fundit të merkatos, duke mbyllur transferimin e Roberto Sorianos dhe Simone Zazës, të cilët vështirë se do t’i përdorin nesër, por që Mazzarri ka organikën e duhur, për t’u bërë ballë kryeqytetasve.
Në mbrëmje vëmendja do të jetë e përqendruar në Reggio Emilia, ku Sassuolo do të presë Interin e Luciano Spallettit. Zikaltrit, bashkë me Juventusin, janë vlerësuar si skuadrat që kanë kryer merkaton më të mirë këtë verë dhe pritet me mjaft interes debutimi i tyre zyrtar.
Me Nainggolan dhe Skriniar të dëmtuar, por edhe Vrsaljko e Perisiç, që nuk janë në maksimumin e formës, Spalletti pritet t’u besojë De Vrij dhe Asamoah nga minuta e parë, ashtu si Lautaro Martinezit, Yann Karamohut dhe ish-it Matteo Politano.
Po në orën 20:30, do të zhvillohen edhe sfidat e tjera si Parma-Udinese, Bologna-Spal dhe Empoli-Cagliari.