Argjend Mustafa dhe Mërgim Neziri janë zyrtarisht futbollistët më të rinj të Kamzës duke u bërë kështu blerja e 6 dhe 7-të e skuadrës kryeqytetase në këtë merkato. Mesfushori 24-vjecar nga Vushtria, Mustafa ka firmosur një kontratë që do ta lidhë për 2 vitet e ardhshme me skuadrën që drejtohet nga Ramadan Ndreu. Në pritje të emrave të tjerë si sulmuesi gjeorgjian Bachana Tskhadadze apo edhe mbrojtësit kroat Ivan Fustar, të cilët e njohin Kategorinë Superiore pasi kanë qenë pjesë e Flamurtarit në të kaluarën, Kamza ka zyrtarizuar afrimin e Argjend Mustafës.
24-vjecari është pjesë e kampionatit shqiptar që prej vitit 2012. Pasi luajti për 2 sezone te Besa e Kavajës ai u transferua te Partizani në 2014-tën por te të Kuqtë gjeti pak hapësira dhe në Janar të 2015-tës vendosi të kalonte te Laci. Në një sezon e gjysmë me kurbinasit Mustafa tregoi të gjithë potencialin e tij duke u shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Lacit. Me bardhezinjtë ai fitoi trofeun e Kupës së Shqipërisë që në sezonin e tij të parë ndërsa në kampionat numëron 46 paraqitje dhe 4 gola të realizuar. Në sezonin e fundit Mustafa ishte pjesë e Tiranës por për arsye dëmtimi nuk luajti asnjë ndeshje me bardheblutë në kampionat ndërsa tashmë ai është gati për aventurën e re te Kamza. Gjithashtu me Kamzën firmosi këtë të hënë dhe Mërgim Neziri, që do të jetë një vlerë më shumë për repartin e mbrojtjes dhe që vjen nga klubi i Prishtinës. Klubi i Kamzës kërkon të ndërtojë një skuadër të fortë që të mos e diskutojë mbijetesën në elitën e futbollit shqiptar. Pas portierit Argent Halili, mbrojtësit Hektor Idrizi, mesfushorëve Alfred Zefi e Bruno Arrabal e sulmuesit Masato Fukui, Kamza ka zyrtarizuar edhe Mustafën e Nezirin ndërsa është në pritje të goditjeve të tjerë. Objektivi kryesor për sulmin është Sebino Plaku ndërkohë që për mesfushën një opsion tjetër është edhe Argjend Malaj.
