Connect with us

Hi, what are you looking for?

Tenis

Karantinim i detyruar dy javor, tenistët udhëtojnë para kohe drejt Melburnit

Novak Djokoviç dhe Rafael Nadal bëhen gati për të udhëtuar drejt Australisë, për t’iu nënshtruar regjimit të detyruar të karantinës, në prag të turneut të parë të madh Slam të vitit, Australian Open. Ndonëse pozicionohet në jug dhe në skajin më të largët të globit Australia ka përcaktuar një protokoll të fortë, me masa të qarta dhe tepër të rrepta që duhen respektuar për të hyrë në territorin e vendit të gjashtë më të madh, për nga sipërfaqja në glob.

Pavarësisht daljes në dritë të një sërë vaksinave për të luftuar virusin Covid – 19, në shumë vende të botës është vënë re një përshkallëzim i situatës dhe shtim i rasteve të infektimit. Të gjitha këto kanë influencuar natyrisht edhe te turneu i parë i madh i vitit dhe organizatorët e Australian Open kanë hartuar edhe një protokoll të veçantë për rrugën që duhet të ndjekë çdo tenist apo teniste për të marrë pjesë në edicionin e sivjetshëm në Melbourne Park, që është i 109 në historinë e këtij turneu.

Një pjesë e tenistëve i janë drejtuar Lindjes së Mesme për të zhvilluar ndeshjet kualifikuese, pra bëhet fjalë pikërisht për ata sportistë që renditen pas 112 vendeve të para, në klasifikimet e përgjithshme ATP dhe WTA. Këto ndeshje do të zhvillohen në harkun e vetëm katër ditëve dhe meshkujt do të luajnë në kryeqytetin e Katarit Doha nga data 10 deri më 13 janar, ndërsa femrat gjatë po të njëjtës periudhë kohe do t’i zhvillojnë ndeshjet e tyre në qytetin më të madh të Emirateve të Bashkuara Araba, Dubai.

Edicioni i sivjetshëm ishte programuar fillimisht për t’u mbajtur nga data 18 deri më 31 janar, sidoqoftë për arsye të përshkallëzimit të situatës gjithçka u shty me tre javë dhe tani edicioni i 109 i Australian Open do të startojë më datën 8 shkurt, në kryeqytetin e Shtetit të Viktorias Melburn. Dy tenistët më të mirë të botës pritet të fluturojnë drejt Adelaides, për t’u izoluar përpara kohe. Masat janë njësoj për të gjithë dhe numrat 1 e 2 të botës duhet t’i nënshtrohen patjetër regjimit të detyruar 2-javor të karantinës, në prag të turneut të parë Slam të sezonit.

Sipas Reuters duke filluar nga data 15 janar do të jenë me qindra tenistët dhe tenistet që do të udhëtojnë drejt këtij vendi, për të respektuar masat e përcaktuara në protokollin, e hartuar nga organizatorët e turneut të përvitshëm në Melbourne Park. Administratori i deleguar i Federatës Australiane të Tenisit Craig Tiley deklaroi se organizatorëve iu nevojitej një qytet i dytë, për të mos tejkaluar numrat dhe kufijtë e përcaktuar nga autoritetet vendore në Shtetin e Viktorias. 58-vjeçari nga Afrika e Jugut tha për Tennis Channel se federata vendase bashkëpunoi me Autoritetet e Shtetit të Australisë së Jugut, për të krijuar mundësinë e karantinimit për edhe minimalisht 50 tenistë të tjerë në Qytetin e Adelaides.

Craig Tiley vlerësoi gjetjen e gjuhës së përbashkët, sidomos në një kohë të tillë të vështirë, kur për hir të së vërtetës autoriteteve vendore të këtij shteti nuk është se iu interesonte shumë një gjë e tillë, apo qoftë edhe diçka që rrezikon shëndetin e vetë komunitetit. Numri 2 i federatës vendase Tennis Australia shpjegoi se palët ranë dakord për zhvillimin e një turneu ekzibicioni pikërisht përpara startit të turneut në Australian Open, kështu që në datat 29 dhe 30 janar në këtë qytet do të masin forcat tre tenistët më të mirë të botës, si dhe tre tenistet më të forta në rruzull.

Sportistët do të lejohen për të dalë për vetëm 5 orë jashtë dhomave të tyre të hotelit, për t’u stërvitur gjatë periudhës 2 javore të izolimit dhe rregullat dhe masat shtrënguese në Adelaide do të jenë të njëjta me ato që janë përcaktuar edhe në qytetin e Melburnit. Tiley shtoi se ai pret që në muajin shkurt në Melbourne Park të ketë një prani të konsiderueshme të spektatorëve, që mund të luhatet nga 50 deri në 75 % të kapacitetit të plotë të këtij kompleksi.

Vitin e kaluar në Melbourne Park Australian Open u ndoq nga plot 800.000 vetë, kështu që me një llogari të përafërt sipas këtyre të dhënave sivjet në këtë kompleks pritet një fluks që mund të shkojë nga 400.000 – 600.000 vetë. Një gjë është e sigurt, sivjet në tribunën kryesore të stadiumit më të madh të këtij kompleksi në Melbourne Park, ku është përjetësuar emri i tij, teksa quhet Rod Laver Arena do të mungojë pikërisht tenisti legjendar australian, që konsiderohet edhe si një ndër më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave. 82-vjecari nga Queenslandi deklaroi se këtë herë do t’i ndjekë ndeshjet nga shtëpia e tij, në Kaliforni.

Rod Laver është i vetmi tenist në historinë e këtij sporti që i ka fituar që të katërt turnetë e mëdhenj Slam brenda një viti kalendarik, madje tenisti i famshëm australian ia ka dalë mbanë për të kompletuar Grand Slam-in jo një por plot dy herë. Bëhet fjalë për vitet 1962 e 1969, gjithsesi pasi iu uroi suksese organizatorëve Rod Laver tha se është i lumtur që turneu do të vijojë të zhvillohet normalisht, falë edhe kontributit të veçantë që ka dhënë Federata Australiane e Tenisit.

Duke lënë mënjanë favorin e pozitës gjeografike Australia e ka kontrolluar në mënyrë shembullore situatën e pandemisë së koronavirusit dhe ky vend pozicionohet aktualisht në vendin e 100 në planet, për nga numri i rasteve të infektuar. Deri ditën e premte në total në Australi janë prekur vetëm 28.571 persona, ndërkohë popullsia e këtij vendi llogaritet 25.7 milionë banorë. Gjatë kësaj jave në tërë vendin, të mërkurën, të enjten dhe ditën e premte janë regjistruar përkatësisht nga vetëm 13, 10 dhe 25 raste, në një kohë kur deri tani kanë humbur jetën nga pandemia e koronavirusit 909 persona gjithsej.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...

Champions League

Borussia e Dortmundit në gjysmëfinale të Championsit. Skuadra gjermani bëri mrekullinë në ndeshjen e kthimit ndaj Atleticos së Madridit, të cilin e mposhti 4-2,...