Kastrioti ia doli të marrë një pikë në sfidën e luajtur në Kamëz ndaj Erzenit. 90-minutat u mbyllën me rezultatin 2-2, megjithatë për mënyrën si shkoi sfida, krutanët mund të kënaqen edhe me një pikë duke qenë se e panë veten në disavantazhin e dy golave. Shijakasit realizuan dy herë në pjesën e parë teksa ndeshja u zhbllokua në minutën e pestë me anë të Dzhelil Asanit.
Ndërkohë, në të 34-tën, ishte sulmuesi Dejvid Kaplllani që dyfishoi shifrat për ta mbyllur në mënyrën më të mirë 45-minutëshin e parë. Por, në fraksionin e dytë, Kastrioti reagoi dhe në minutën e 59-të shkurtoi diferencat me anë të Stojanovic.
Kaq u desh dhe krutanët u karikuan dhe pesë minuta më pas gjetën edhe golin e barazimit me anë të Bedri Grecës që përfitoi edhe një ngatërresë në zonë mes lojtarëve të Erzenit. Deri në fund rezultati nuk ndryshoi dhe ndeshja u mbyll në barazim 2-2, teksa pas këtij barazimi krutanët mbeten të fundit në renditje me 20 pikë ndërsa nga ana tjetër, Erzeni mbetet në vendin e tretë me 30 pikë.
