Ka zgjatur më pak se dy muaj përvoja e Ardian Memës në krye të skuadrës së Kastriotit. Klubi krutan ka njoftuar nëpërmjet kanaleve zyrtare se trajneri tiranas ka dhënë dorëheqjen, e cila është pranuar nga drejtuesit e klubit.
Ardin Mema e mori drejtimin e Kastriotit në mes të dhjetorit, menjëherë pas largimit të Emiliano Çelës si rrjedhojë e humbjes 4-0 përballë Tiranës.
Mema e nisi me fitore 1-0 ndaj Vllaznisë këtë eksperiencë në Krujë, por rezultatet e mëvonshme nuk ishin ato që pritej. Kastrioti nën drejtimin e Memës ka marrë, veç fitores me shkodranët, pesë humbje në kampionat dhe dy barazime, ndërsa në Kupë eliminoi Dinamon me një fitore dhe një barazim në përplasjen e dyfishtë.
