Kupa e Botës është i vetmi trofe që i mungon Lionel Messit. Katar 2022 mund të jetë Botërori i fundit për 35-vjeçarin, i cili shpreson të rikthejë Argjentinën në majë të botës.
Kombëtarja latine është pjesë e grupit C me rivalë si Meksika, Polonia dhe Arabia Saudite. Jurgen Klinsmann e ka provuar shijen e Kupës së Botës, të cilën e fitoi me Gjermaninë e tij në Itali 1990.
Në një prononcim për Ole, ish-sulmuesi i shquar u ndal te Botërori i Katarit (20 nëntor-18 dhjetor), duke shprehur dëshirën e tij që në fund të shpallen fitues Argjentina dhe Lionel Messi.
“Për momentin shoh Argjentinën dhe Brazilin si kandidatë për fitimin e Botërorit. Më pas vijnë Anglia, Spanja, Franca, Gjermania dhe Portugalia, që gjithsesi do e kenë të vështirë të mposhtin kombëtaret latine.
Argjentina duhet të kishte fituar disa Kupa Bote të tjera pas humbjes në Itali ’90. Ndoshta kjo do të ndodhë në Katar. Dua ta fitojë Argjentina, veçanërisht për Messin. Ndoshta si dhuratë për Krishtlindje”, deklaroi Klinsmann.
TESTONI NJOHURITË TUAJA RRETH PREMIER LEAGUE
QUIZ/ Premier League 2021-2022 – Sa mirë e kujtoni sezonin që sapo u mbyll?
