Garë e fortë po zhvillohet edhe në Kategorinë e Parë. Erzeni reagoi pas humbjes në Dibër. Ekipi nga Shijaku fitoi 2-1 përballë Tomorit falë golave të dy shkodranëve Ymeri-Rraboshta, teksa Manellari barazoi përkohësisht rezultatin për miqtë nga Berati.
Suksesi i sotëm e ka ngjitur Erzenin në vend të parë me 54 pikë, po aq sa numëron edhe Bylisi që do të luajë nesër në Fier ndaj Apolonisë. Pa gola përfundoi derbi mes Burrelit dhe Korabit të vendit të tretë.
Festival golash në Peqin, aty ku Besëlidhja triumfoi 2-5 kundër Shkumbinit vendas. Fitorja e tretë radhazi për ekipin mik, që është ngjitur në kuotën e 32 pikëve në vend të nëntë, duke qenë katër pikë larg vendit të gjashtë.
Dy ekipet e para futen direkt në Superiore sezonin e ardhshëm, ndërsa ekipet e renditura në vend të tretë, katërt, pestë dhe gjashtë do të përballen mes tyre për të nxjerrë skuadrën që do të luftojë kundër vendit të tetë në Superiore për një biletë në elitë.
Lushnja u mjaftua me një pikë pas barazimit 1-1 në shtëpi ndaj Pogradecit, teksa Tërbuni dhe Maliqi morën tre pikët pas sukseseve shtëpiake. Turbina ishte ekipi i vetëm që triumfoi në transfertë. Skuadra nga Cërriku mposhti 0-2 në Vorë, duke marrë një fitore jetike për mbijetesën.
[quiz-cat id=”297576″]
