Nuk frymëmarrje për skuadrat e Kategorisë Superiore, të cilat vazhdojnë të sforcohen fizikisht për të rikuperuar javët e humbura për shkak të bojkotit të fillimsezonit. Sot, në orën 13:45, luhet katër sfida të javës së 15-të, ndërsa përballja më e rëndësishme e këtij raundi, derbi i kryeqytetit, Partizani-Tirana, do të zhvillohet të enjten (18:00).
Bylis–Vllaznia: Pas provës së madhe që dha ndaj Kukësit, në “Elbasan Arena”, Vllaznia do të kërkojë tri pikët në transfertë me Bylisin, ekip që për shkak të organikës së kufizuar është shfaqur me luhatje deri në këtë fazë të sezonit. Sigurisht që në “Adush Muça” misioni i kuqebluve nuk është i lehtë, por sigurisht me entuziazmin që i karakterizon janë favoritë për t’u kthyer me tri pikë nga Ballshi.
Kastrioti-Teuta: Në sfidën e fazës së parë, në “Niko Dovana”, krutanët arritën t’u rrëmbenin pikën durrsakëve, por ecuria e skuadrës së drejtuar nga Ramadan Ndreu në tri sfidat e fundit nuk ka qenë aty ku pritej. Teuta ka ecurinë më të mirë në ndeshjet jashtë, bashkë me Vllazninë, e kuptohet edhe në këtë sfidë, me Kastriotin, synimi i vetëm është fitorja, për të mos humbur terren me kreun e renditjes.
Laçi-Skënderbeu: Java e 14-të ishte negative për të dy ekipet. Kurbinasit, me ambicie të mëdha në këtë sezon, u kthyen të zhgënjyer nga Fieri, ku humbën me Apoloninë, ndërsa korçarët dështuan të merrnin pikë përballë Partiznit në Korçë e tashmë konsiderohen favoritët për të rënë nga kategoria. Laçi, përtej organikës shumë më të fortë, ka dhe avantazhin e fushës, kështu që vështirë se mund të gabojë dy herë radhazi.
Apolonia–Kukësi: Interesante sfida e Fierit mes Apolonisë dhe Kukësit. Fierakët, të bërë më krahë pas suksesit me Laçin, do të tentojnë ta shfrytëzojnë faktorin fushë për të arritur dy fitore radhazi në kampionat. Përballë janë verilindorët, në krizë të thellë rezultatesh. Katër humbjet radhazi kanë bërë që në kampin kuksian të mos përmendet më fjala titull. Në këtë transfertë verilindorët shkojnë për t’u kthyer në shina, që sezoni të mos quhet i dështuar ende pa u luajtur gjysma e kampionatit.
Java 15
E mëkurë
Bylis – Vllaznia 13:45
Kastrioti – Teuta 13:45
Laçi – Skënderbeu 13:45
Apolonia – Kukësi 13:45
E enjte
Partizani – Tirana 18:00
