Connect with us

Hi, what are you looking for?

Retro

Kënaqësia turke dhe perfeksioni zviceran: Trashëgimia sportive e vëllezërve Murat & Hakan Yakin

Ndeshjet e raundit të dytë të Grupit A në Kampionatin Evropian 2008 shtruan një pyetje interesante për Hakan Yakin. Turk në emër dhe origjinë, por që po luante kundër kombëtares së tij, për Zvicrën. Për më tepër, ai shënoi ndaj Turqisë së tij, duke rrezikuar eliminimin e saj, por të paktën zgjodhi të mos festojë.

Kuptohet se ai nuk është i vetëm në një skenar të tillë. Në ndeshjen që përfundoi 2-1 për Turqinë, bashkë me të, në fushë me fanellën e Zvicrës ishin edhe dy turqit e tjerë Eren Derdiyok dhe Gökhan Inler. Ndërkohë edhe ish-golashënuesi rekordmen kombëtar, Kuba Türkyilmaz është me origjinë turke. Zvicra është e njohur si një zonë shkrirjeje e shumë kulturave të ndryshme, me rreth 70,000 qytetarë turq që jetojnë në vend.

Një person i tillë ishte nëna e Yakin, Emine, burri i parë i së cilës u zhduk traumatikisht në 1972-shin para se trupi i tij të gjendej në liqenin e Gjenevës. Si pjesë e ligjeve të imigracionit në atë kohë, Emine u desh të martohej përsëri për t’i mundësuar asaj të sillte gjashtë fëmijët e saj nga Turqia. Së shpejti ajo u takua dhe u martua me një saldator të quajtur Mustafa Yakin, duke sjellë në jetë Muratin më 15 shtator 1974. Rreth dy vjet e gjysmë më vonë, lindi vëllai i tij më i vogël Hakan, me të dy të rritur në zonën e Münchenstein të Bazelit.

Një edukim i tillë nuk ishte i lehtë. Prindërit e tyre debatonin shpesh përpara divorcit në vitin 1982. Mustafa preferoi arsimimin në vend të futbollit dhe u zemërua me djalin nga martesa e pare e gruas së tij, Ertan Irizik – më vonë një profesionist i St. Gallenit, pasi kishte çuar Hakanin dhe Muratin në prova futbolli.

Por ky vendim do të shpërblehej pasi të dy vëllezërit Yakin hynë në akademinë e Concordia Basel, duke kaluar shpejt në një nga klubet kryesore të Zvicrës. Për Muratin, kontrata profesioniste erdhi në vitin 1992 në klubin e Grasshopper Club, ndërsa tre vjet më vonë Hakan iu bashkua gjigantëve vendas Basel.

Një qendërmbrojtës i besueshëm, i njohur për saktësinë e tij nga goditjet standarde, Murat fitoi titullin kampion në Zvicër në 1995 dhe 1996, përpara se të transferohej në Shtutgart verën e ardhshme. Në vend të tij, Grasshoppers solli Hakanin, megjithëse nuk ishte një kalim i ngjashëm me të. Vëllai më i vogël ishte një lojtar krejtësisht i ndryshëm; një mesfushor-sulmues i çuditshëm, i njohur për natyrën e tij shpërthyese dhe stilin e jetës prej ylli të rock-ut.

Një aftësi e tillë do ta ndihmonte Hakanin të drejtonte Grasshoppers drejt titullit të radhës në 2001-shin, ndërsa Muratit nuk i shkoi fort mirë aventura larg shtëpisë. Mbrojtësi nuk arriti të merrte një vend titullari në Gjermani, duke u shitur te Fenerbahçe pas një sezoni dhe për një kohë të shkurtër u transferua në Basel në vitin 2000. Ai u kthye shpejt në Gjermani me Kaiserslautern, megjithëse do të ndeshej me trajnerin Andreas Brehme, të cilin ai e kërcënoi se do ta “rrahte aq keq sa të mos njihej më”.

Edhe për Hakanin, futbolli jashtë vendit ishte i vështirë. Ai u kthye në Bazel në 2002-shin, megjithatë forma e tij shpejt tërhoqi vëmendjen e klubeve më të mëdha evropiane. Në verën e vitit 2003-shit, ai u ble nga Paris Saint-Germain për të zëvendësuar Ronaldinhon, vetëm se pala franceze do ta anulonte marrëveshjen pasi Yakin “harroi” të deklaronte një hernie në vizitat mjekësore.

Një tipar familjar, ishte se të dy vëllezërit Yakin shijuan vitet më të mira të karrierës së tyre brenda kufijve të Zvicrës. Pas kthimit në Basel në 2001-shin, Murat do të fitonte çmimin e lojtarit më të mirë të ligës në vitin 2002, duke vazhduar të ishte kapiten i skuadrës në tre Super Liga dhe dy Kupa të Zvicrës të fituara. Tre nga këto trofe do të ndaheshin së bashku me Hakanin, i cili fitoi të njëjtin çmim personal në 2003-shin. Pavarësisht nga karriera e gjerë e vëllezërve, këto dy sezone janë hera e vetme që ata luajtën së bashku në nivel klubi.

Ndërkombëtarisht kjo ndodhi shumë më shpesh. Murat bëri debutimin e tij me Zvicrën në vitin 1994, ndërsa Hakanit iu desh të priste gjashtë vjet. Dyshja u thirrën të dy në skuadrën e Köbi Kuhn për Euro 2004, turneu i parë i madh ndërkombëtar i Zvicrës për një dekadë, pas të cilit Murat do të tërhiqej për t’u fokusuar te klubi i tij. Ndërkohë Hakan vazhdoi deri në vitin 2011, duke u paraqitur si në Botërorin 2006 ashtu edhe në atë 2010.

Pasi u transferua te Young Boys në 2005-ën, në 2007/08 ai bëri një sezon perfekt në Superligë me 24 gola dhe 15 asistime, teksa numëronte 31 vite mbi supe, por pavarësisht kësaj, klubi e humbi kampionatin në garën me Baselin, duke bërë që Hakan kurrë të mos fitonte një trofe në kryeqytetin zviceran.

Sezoni 2010/11 vendosi trajnerin Murat kundër lojtarit Hakan në një kthesë të çuditshme të dinamikës së karrierës së vëllezërve. Të dy ndeshjet u mbyllën në barazim 1-1, teksa në të dy rastet Hakani asistoi për golat e skuadrës së tij.

Më e vështira ishte akoma duke ardhur. Në verën e vitit 2011, Murati u bë trajner i Luzernës dhe tashmë ai kishte nën urdhra edhe vëllanë e tij. Me Muratin në krye dhe Hakanin njeriun kryesor në fushë, Luzerni përsëri udhëhoqi ligën në një gjysmë të parë mbresëlënëse të sezonit. Hakan u largua në janar 2012 për të mbyllur karrierën e tij me Bellinzonan e kategorisë së dytë, ndërsa Murati vijoi punën për t’i dhuruar Luzernës pozicionin më të lartë historik në renditje (përveç titullit të 1989-ës).

Në fund të sezonit të ardhshëm, Hakan do të tërhiqej, ndërsa Murat vazhdoi të impresiononte nga ana menaxheriale. Pas shkarkimit të Heiko Vogel në tetor 2012, Basel emëroi ish-kapitenin e tyre si trajner kryesor. Murat do ta çonte klubin drejt triumfit në kampionate të njëpasnjëshme dhe një gjysmëfinale të Ligës së Evropës, e cila u humb nga fituesi eventual Chelsea, ndërkohë që zbuloi edhe talente të rinj si Mohamed Salah. Ai shihej gjerësisht si një yll i ardhshëm i trajningut, teksa emri I tij u lidh me klube si Southampton dhe Tottenham.

Në qershor 2014, Murat u emërua trajner i Spartakut të Moskës, megjithëse kjo rezultoi katastrofike pasi ai përfundoi i gjashti dhe u shkarkua brenda një viti. Me Hakan që u bashkua më pas si ndihmësi i tij, në periudhat me Schaffhausen, Grasshoppers dhe Sion, nuk arriti të përmirësohej. Dyshja tani janë kthyer në Schaffhausen, edhe pse sezoni i kaluar përfundoi në vendin e nëntë në kategorinë e dytë të kufizuar me dhjetë ekipe.

Pavarësisht nga kjo rënie në karrierën si trajnerë, reputacioni i vëllezërve në fushë mbetet i pa cënuar. Hakan dhe Murat Yakin janë padyshim dy nga lojtarët më të mirë që Zvicra ka prodhuar në dekadat e fundit. Mund të jetë fonetikisht turke, por në qytetet e Bernës, Bazelit dhe Cyrihut, emri Yakin përkthehet legjendë.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...