Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kategoria Superiore

Këngë e fishekzjarrë, Tirana feston titullin e 25-të, kryeqyteti ngjyroset bardheblu

Erando Karabeci që ngre më në fund mbi qiellin e kryeqytetit trefenë e titullit kampion. Qiell blu mbi Tiranën, që skuqet nga fishekzjarrët, “Air Albania” ndërkohë vishet bardheblu. Refik Halili më në fund mund të shijojë një ngjitje në ajër, që zakonisht u dedikohet trajnerëve, ndërsa Egbo mbetet racional, por me qeleshe. Bashkë me kampionët bashkohet këtë herë edhe Presidenti Ilir Meta.

Tirana është kampione, sapo ka ngritur lart titullin e 25-të të historisë, që e konsakron si skuadrën më të suksesshme të futbollit shqiptar. E mbyll me hare e feste dhe me këngën dedikuar sezonit të 100-vjetorit, një festë që shtrihet në të gjithë kapilarët e kryeqytetit, ku rrjedh gjaku bardheblu, që ndihet edhe në stadiumin ku COVID-19 ka ndaluar praninë e tifozëve.

Ky është titulli i 25-të kampion, ky është titulli i Tiranës, që rikthehet të ngrejë lart trofeun më të rëndësishëm në vend, pas plot 11 vitesh, është titulli i Refik Halilit, presidentit që, më në fund, mund të buzëqeshë pas shumë investimesh, mbi të gjitha pas shumë vuajtjesh e një kalvari dhimbjeje.

Është titulli i merkatos së goditur, vendimtare në suksesin e këtij sezoni me arkitektë kryesorë drejtorin sportiv Arbi Laçi e njeriut të merkatos Hektor Çomo, që u bazuan tek eksperienca për të mos rrezikuar. Elton Cale e Agustin Torasa, bashkë me Winful Kobbinah Kobbinah ishin treshja perfekte pas gjigantit të mirë Ngoo, thjesht të papërmbajtshëm nga kundërshtarët, MVP i skuadrës me 13 gola dhe 14 asiste. Titulli i Idriz Bathës: muskuj, grintë dhe plot 10 gola, ai ndaj Kukësit vendimtar në suksesin e një sezoni nga një mesfushor që bëri diferencën, apo i Kristi Vangjelit, një tjetër lojtar vendimtar këtë herë në fazën mbrojtëse.

Miqtë, të parët për respekt, por mbi të gjitha ky është titulli i vendësve, që për ta prekur kanë kaluar “ferrin”. I Gentian Muçës, njeriut që personifikon shpirtin tironas, i kthyer pas një beteje për jetën për të triumfuar me futbollin. Jo rastësisht seria pozitive përkon me rikthimin e tij. Është titulli i Albi Dokës, që ikën në Kroaci, duke e lënë Tiranën e tij kampione, i Hoxhallarit apo dhe i brezit të ri të akademisë, zbulimeve Celhaga e Ismailgeci, që demonstruan personalitetin e veteranëve, duke mbajtur si duhet një fanellë me peshë që të fundos, i talentit Ernest Muçi, njeriut kopertinë të derbit të paharrueshëm 5-1, i Grent Halilit që presionin si lojtar apo peshën emocionale e ka patur të shumëfishuar nga mbiemri dhe statusi si bir i presidentit.

Ky është titulli i Ilion Likës, i rikthyer të jetë një garanci mes shtyllave me përvojën dhe gjakftohtësinë e tij. Ky është dhe titulli i atyre që sakrifikuan, duke pranuar stolin për suksesin e skuadrës: Edon Hasanit, Erando Karabecit apo Osmanit. Ky është pa dyshim titulli i Emanuel Egbosë, njeriut për të cilin flasin faktet dhe jo opinionet, trajnerit që e mori Tiranën të drobitur në prag të një derbi si i përkohshëm dhe e bëri një armatë të frikshme me inteligjencën dhe zgjuarsinë për të kuptuar çdo individualitet apo inerci në ambientin bardheblu, falë një jete të kaluar në klub.

Mbi të gjitha ky është titulli i tifozëve. Nuk ishin aty, por e kotë të thuhet pyesni ata sa kanë kaluar për të ardhur këtu. Spektakël në aspektin e tifozërisë së paarritshëm në origjinalitet e krijimtare, por edhe mjë shtysë e jashtëzakonshme për skuadrën për ta fituar këtë titull. Ky është titulli i Tiranës së tyre, Tiranës kampione, Tironës së modhe, që buzëqesh në 100-vjetorin e saj.

 

 

Lajme të tjera

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...

Champions League

Champions League do të nisë sezonin e ri me një formulë të re, teksa rrugëtimi do të startojë nga një grup i vetëm, me...

Kombëtare

Një humbje djeg gjithmonë edhe në miqësore, megjithatë ajo e Shqipërisë ndaj Suedisë mund të shihet me shumë nota pozitive. Të mposhtur me rezultatin...