Maroku dhuroi emocione të mëdha në Botërorin e Katarit. Skuadra afrikane e mbylli në vend të katërt aventurën e paharrueshme në Kupën e Botës, duke vendosur një rekord në historinë e saj dhe atë të futbollit afrikan.
Një nga pikat më të forta të “Luanëve të Atlasit” ishte Sofyan Amrabat. Mesfushori shkatërrues i Fiorentinës shkëlqeu me Marokun dhe e ardhmja e tij pritet të jetë larg Firences.
26-vjeçari dha gjithçka, luftoi në çdo cep të fushës dhe ndihmoi shokët e skuadrës të mbërrinin në fazën gjysmëfinale. Amrabat ka impresionuar edhe një emër si Gennaro Gattuso, i cili ndante të njëjtin rol në fushë gjatë periudhës që ishte futbollist.
“Kisha kohë që nuk shihja një lojtar të ngjashëm me mua, por e pashë më në fund në Botëror: Amrabat. Ai më emocionoi shumë, dukej sikur unë kur kam qenë 27 vjeç… “, u shpreh për AS trajneri i Valencias.
Nuk mungon një falënderim për gruan e tij: “Dua ta falënderoj shumë, nuk arrij ta kuptoj si vazhdon të jetë përkrah meje, por më duhet të ndryshoj disi. Nuk mund të shpenzoj 18-19 orë duke menduar vetëm për futboll”.
