Nick Kyrgios e ka të pamundur të sillet brenda etikës edhe nëse bëhet fjalë për finalen e Wimbledon. Tenisti australian me origjinë greke u mposht nga Novak Djokovic ndërsa në disa momente të sfidës 27-vjeçari u ankua te gjyqtari për komentet që vinin nga ana e tifozëve. Kyrgios theksoi se nga tribuna ishte një vajzë e cila i dukej e dehur dhe se i “hidhte fjalë” për ta shpërqëndruar ndërsa australiani nuk i mbajti nervat dhe në disa raste përdori një fjalor jo të përshtatshëm për klasin që përcjell turneu i Wimbledon.
Aq më tepër kur në mes publikut ishin shumë të famshëm, ku dallonte familja mbretërore William me Prince dhe Dukeshën Middleton ndërsa për herë të parë së bashku me ta ishte edhe djali i vogël, Prince George. Në këtë formë, fjalori dhe sjellja e Kyrgios nuk mund të kalonte pa u ndëshkuar me australianin që është gjobitur me shumën e 4.000 dollarëve.
Por, kjo nuk ishte gjoba e parë për Kyrgios në këtë edicion të Wimbledon duke qenë se më parë, 27-vjeçari u gjobit me shumën e 14.464 dollarëve pasi kamerat e fokusuan duke pështyrë një spektator. Ndërkaq, gjoba e tretë erdhi në ndeshjen ndaj Tsitsipas teksa për shkak se kërkoi një arbitër tjetër në mes të lojës dhe ofendimeve për kundërshtarin, Kyrgios u ndëshkua me 5.813 dollarë.
Epo, jo më kot Kyrgios konsiderohet si “Bad Boy” i tenisit duke qenë shumë i ndryshëm nga kolegët e tij që gjithnjë janë më të rezervuar në gjeste dhe deklarata.
