Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

Kosova “bie” pas 15 ndeshjesh, “zemra” nuk mjafton ndaj Anglisë

Merr fund në Southampton seria prej 15 ndeshjesh pa humbje e Kosovës, që humbi me rezultatin 5-3 ndaj Anglisë, ndonëse “Dardanët” dalin me kokën lart, pasi tentuan të bëjnë lojën e tyre përballë “shpikësve” të futbollit.

Sfida nisi me topin e parë që e luajtën vendasit, ndërsa djemtë e Challandes ushtruan menjëherë presing të lartë dhe pikërisht në saj të tij, mbrojtësi anglez Keane gaboi në pasim, duke ia dhuruar topin Muriqit, që shërbeu saktë për Valon Berishën dhe ky i fundit nuk fali para Pickford.

Një fillim ëndrrash ky për “Dardanët” që as nuk e kishin imagjinuar një gol që në sekondat e para, ndërsa në minutat në vijim u rreshtuan mirë në gjysmëfushën e tyre, duke mbajtur larg rrezikun anglez.

Megjithatë rezistenca e tyre zgjati vetëm 8 minuta, sepse pas një goditjeje nga këndi, anglezët përfituan nga rrëmuja dhe arritën të gjejnë golin e barazimit, me anë të sulmuesit të Manchester Cityt, Raheem Sterling.

Kaq mjaftoi që anglezët të çliroheshin dhe të zhvendosnin lojën në gjysmëfushën e Kosovës, duke arritur që deri në fund të pjesës së parë të bëjnë ç’të duan dhe të shënojnë plot 4 herë të tjera në rrjetën e Muriç.

Harry Kane, autogoli i Vojvodës dhe dy golat e mesfushorit të talentuar të Borussias së Dortmundit, Jadon Sancho, bënë që skuadrat të shkonin në dhomat e zhveshjes me rezultatin e thellë 5-1 në favor të “tre luanëve”.

Megjithatë “Dardanët” nuk u demoralizuan dhe e nisën mjaft vrullshëm pjesën e dytë, duke befasuar anglezët fillimisht në minutën e 47’ me anë të Valon Berishës dhe më pas në të 54-ën me anë të Vedat Muriqit, që shndërroi në gol penalltinë e fituar po vetë.

Në minutën e 65-të pati edhe një penallti për vendasit, të cilën e mori përsipër kapiteni Harry Kane, por goditja e tij u neutralizua në mënyrë fantastike nga portieri i ri i “Dardanëve” Arianit Muriç. Minutat në vijim u zhvilluan të hapura, ku të dy skuadrat kërkonin golin dhe krijuan mundësi të shumta, por pa arritur të dërgojnë topin në rrjetë.

Vërshëllima finale e arbitrit të takimit la në fuqi fitoren e Anglisë me rezultatin 5-3, ndërsa sfida tjetër e këtij grupi, mes Malit të Zi dhe Çekisë, u fitua nga këta të fundit me rezultatin 0-3. Grupi A kryesohet nga Anglia me 12 pikë të plota, e ndjekur nga Republika Çeke me 9 pikë dhe më pas Kosova me 8 pikë.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...