Kombëtare

Kosova leksion futbolli Shqipërisë, eksperimentet e Panuccit dështojnë sërish

Vëllazërorja ka shkuar për Kosovën, që i dha një leksion mjaft të ashpër Shqipërisë, duke e mposhtur 3-0, një rezultat ky që tregon edhe njëherë qartësisht dështimin e eksperimenteve të Panuccit, ndërsa kuqezinjtë tregojnë qartësisht se nuk janë gati për të garuar denjësisht në Ligën e Kombeve.

Kosova e nis më mirë lojën dhe tenton disa aksione të rrezikshme, ndërsa mesfusha kuqezi, me Ramadanin, Ndojin dhe Qakën, duket qartë që nuk funksionon aspak. Fanella e Kombëtares peshon shumë dhe asnjë nga ata nuk ka ende supe për ta mbajtur, por Panuccit nuk i mjaftoi ndeshja me Norvegjinë për ta kuptuar. Shqipëria vuan shumë për të dalë përpara, pasi askush në mesfushë nuk i ka aftësitë të nxjerrë topin përpara, ndërsa futbollistët e Kosovës tregojnë shumë cilësi teknike dhe aftësi të mira organizative.

Në një aksion mjaft të bukur, është Halimi që vertikalizon për Arbër Zenelin, i cili futet në zonë dhe ndëshkon Etrit Berishën, kur kronometri shënonte minutën e 21-të. Skuadra e Panuccit tenton të reagojë, por Qaka humb mes fanellave të bardha të Kosovës, ndërsa Emanuele Ndoji humb thuajse çdo top që prek. I nervozuar, tekniku italian bën dy zëvendësime në minutën e 43-të të pjesës së parë, duke larguar Qakën dhe Roshin, për të hedhur në fushë Manajn dhe Sabien Lilajn.

Pjesa e parë përfundoi në avantazhin minimal të Kosovës, ndërsa edhe pjesa e dytë kishte të njëjtën tablo, me skuadrën e Challandes mjaft të qartë dhe me kuqezinjtë e Panuccit, që vështirë se arrinin të bënin 3-4 pasime të sakta radhazi. Në minutën e 51-të, Arbër Zeneli ndëshkon sërish Shqipërinë, pas një aksioni model të Kosovës, që ndoshta do ta kishte zili edhe kombëtarja e Brazilit.

Gjithsesi, as ky gol i dytë nuk arriti të shkundë kuqezinjtë, të cilët vijuan lojën apatike, duke mos u futur dot asnjëherë në zonën e Kosovës dhe jo më të kërcënojnë portën e Ujkanit. Nga ana tjetër, Challandes luan edhe kartën Edon Zhegrova, që fillimisht tenton aftësitë e Berishës me një supergoditje, ndërsa më pas gjen rrjetën për herë të tretë, më një gjuajtje nga distanca, duke marrë duartrokitjet e tifozëve në stadium.

Goli i tretë vë në lëvizje Panuccin, që hedh në fushë Mavrajn, Balajn dhe Kristal Abazajn, duke larguar Ndojin, Bujar Likën dhe Sindrit Gurin. Gjithsesi as këta nuk arrijnë të rritin nivelin e lojës së kuqezinjve, ndërsa gjuajtja e parë në portën e Kosovës vjen në minutën e 77’, por edhe këtë herë nga vetë sulmuesi i kosovarëve, Atdhe Nuhiu, që ul për portierin një krosim të dërguar në zonë.

Për të parë gjuajtjen e parë në portën e Kosovës, nga një lojtar i Shqipërisë, duhej pritur minuta e 80’, kur Kristal Abazaj depërtoi në zonë, por goditja me të majtën ishte shumë e lehtë dhe u zotërua qetësisht nga Ujkani. 10 minutat e fundit, futbollistët e Shqipërisë tentojnë të bëjnë diçka, por rastin më të mirë e ka sërish Kosova, që godet shtyllën me anë të Gjelbërim Taipit, pas një aksioni të bukur të Zhegrovës.

Pas sfidës me Norvegjinë në ‘Elbasan Arena’, ku humbën 1-0, duke mos rrezikuar asnjëherë portën e nordikëve, kuqezinjtë dhurojnë sërish një paraqitje apatike, në kufijtë e amatorizmit, ndërsa Ukraina tashmë duket se do të jetë shumë pak, që Panucci të ketë mundësi të korrigjojë diçka, në prag të ndeshjeve të Nations League. Nga ana tjetër, Kosova po tregon një tjetër fytyrë me Bernard Challandes, pasi nën drejtimin e zviceranit ka marrë 3 fitore në po kaq ndeshje dhe për më tepër, ka shënuar 6 gola e nuk ka pësuar asnjë.

To Top