Përfaqësuesja e Kosovës në futboll vuajti një tjetër humbje në eliminatoret e Botërorit ‘Rusi 2018’, këtë herë ndaj Ukrainës me shifrat 0-2.
Në ndeshjen e parafundit eliminatore dhe në fushatën e parë që merr pjesë, në një turne madhor, skuadra e trajnerit Albert Bunjaku nuk i shpëtoi vendit të fundit, pasi pavarësisht rezistencës u ndëshkua nga një autogol dhe një gol i sulmuesit të Dortmund, Jarmolenko.
Sfida në stadiumin e Shkodrës nisi me një befasi në kampin kosovar, pasi Donis Avdiaj braktisi skuadrën në shenjë revolte ndaj trajnerit, që nuk e aktivizoi si titullar.
Ndërkohë, në një terren disi të rënduar nga reshjet e shiut, Kosova rezistoi ndaj sulmeve të Jarmolenkos dhe Konopliankas, por e pësoi nga një autogol. Në një krosim në zonë nga e majta e sulmit, Paqarada dërgoi sferën aksidentalisht në rrjetën e tij.
2 minuta nga fundi, Jarmolenko shënoi dhe golin që uli siparin e një 90 minutëshi për tu harruar për Kosovën. Me këtë humbje ekipi i trajnerit Bunjaku mbetet i fundit me vetëm 1 pikë. Sfida e fundit e Kosovës në eliminatore është ajo e 9 tetor në Reikjavik ndaj Islandës.
