Blerim Krasniqi ishte protagonisti i Skënderbeut në sfidën ndaj laçit, ku korçarët gjetën fitoren e munguar prej plot 3 muajsh. Sulmuesi kavajas zhbllokoi sfidën në minutën e 55-të dhe fitoi një 11-metërsh 20 minuta më vonë, duke qenë absolutisht lojtari më i mirë i ndeshjes, ndërsa pas takimit u ndal edhe në mikrofonin e “Gol pas Goli” në Supersport.
Sa e kishit pritur këtë moment, të shënonit golin e parë para tifozëve?
Ndihem mirë për fitoren, por edhe që shënoj gol. E kisha pritur shumë këtë moment dhe për fat të mirë ia dola të shënoj dhe të ndihmoj skuadrën për të fituar.
Çfarë pati ndryshe ky Skënderbe sot?
Patëm një situatë të keqe me 6 humbje rresht, ndaj duhej të ktheheshim te loja jonë. Kemi pasur edhe fatin kundër gjatë javëve të fundit, pasi kemi pësuar gola nga situata ku kemi gabuar. Tani duhet të japim më shumë se ndeshjet e tjera dhe të vazhdojmë rrugën që kemi nisur.
Çfarë ju tha Shehi para ndeshjes?
Trajneri gjithmonë kërkon maksimumin nga ne, pastaj na takon neve që të luajmë në fushë. Na takonte ne lojtarëve të shfaqeshim në fushë. Ishte ndeshja e gjashtë dhe nuk kishte më kohë për të gabuar, ndaj nuk kishte vend për fjalët e trajnerit sot.
Jeni në ngërç nga presioni i madh aty?
Për sa kohë jemi pjesë e Skënderbeut, të gjithë kemi kualitete. Këtu presin nga unë, por edhe nga të gjithë lojtarët e tjerë. Nuk kam pasur formën e duhur, më ka munguar goli edhe prej dëmtimeve, pasi jam lënduar 7 herë brenda pak muajve, por shpresoj që tani e mbrapa të gjej formën më të mirë.
