Futboll

Krasniqi zgjedh Maqedoninë, firmos me Rabotnickin

Gjen sistemim edhe i larguari i fundit nga Partizani që nuk kishte ende një skuadër. Gëzim Krasniqi ka arritur akordin me Rabotnickin ku fillon një aventurë të re në kampionatin maqedonas. Mbrojtësit 28-vjeçar i janë dashur vetëm pak ditë pas largimit nga Partizani për të gjetur skuadrën e tij të re, edhe pse menjëherë pasi u la jashtë listës së të kuqve për përgatitjet në Antalia, Krasniqi u bë objekt dëshirash për disa klube të Kategorisë Superiore, vetë futbollisti ka preferuar një eksperiencë jashtë Shqipërisë për të vijuar karrierën. Lamtumira nga Partizani ku kishte kontratë deri në fundin e këtij sezoni ishte i papritur për Krasniqin që nëpërmjet një komunikimi në rrjetet sociale akuzoi drejtëpërdrejt trajnerin e skuadrës Sulejman Starova për largimin e tij në mes të sezonit. Për mbrojtësin që e ka nisur karrierën si futbollist me Besën, në skuadrën e qytetit të tij të lindjes, dhe ka qenë për 6 muaj edhe te Flamurtari në sezonin 2014-2015  kjo është eksperienca e parë jashtë kampionatit shqiptar. Te Rabotnicki, Krasniqi vihet nën urdhërat e trajnerit Goran Stankovski me skuadrën maqedonase që gjendet në vendin e pestë në klasifikim me 23 pikë, po aq sa dhe skuadra shqiptare e kryeqytetit maqedonas, Shkupi.

 

To Top