Champions League

Kukësi beson, por La Valetta nuk është e lehtë

Barazim pa gola, shumë pak lojë e krijuar dhe mungesë rrezikshmërie në fazën sulmuese. Kukësi shpërdoroi një shans të mirë për tu kualifikuar në turin tjetër, duke treguar se ekipi i Pakult ka ende nevojë të kolaudohet, madje në minutat e fundit rrezikoi edhe të pësonte.Në momentin e hedhjes së shortit, veri-lindorët festuan se do të luanin përballë Valetas. Kampione e Maltës, e vërtetë, por në një ligë të nivelit jo të lart. Kualifikimi dukej çështje e mbyllur ende pa zbritur në fushë, por Valetta u konfirmoi të kundërtën.Ekipi i kryeqytetit maltez nuk është ai që të gjithë e kujtonin dhe e mendonin.

Përkundrazi, në vitet e fundit investimet kanë qenë të rëndësishme. Nga një skuadër vetëm me lojtarë vendas, edhe Valeta i është përshtatur globalizimit.Në kontingjentin, vlera e të cilit në merkato përllogaritet në afro 2,5 milionë euro, rivalët e Kukësit kanë disa të huaj cilësorë, mes të cilëve sulmuesit argjentinas Migel Alba dhe Santiago Malano, si edhe italianin Mario Fontanela, i rritur në akademinë e Napolit, por që në Gadishullin Apenin nuk arriti dot në futbollin e niveleve të larta.

Valetta tregoi në “Loro Boriçi” se kërkon të luajë për kualifikimin. Megjithatë, te Kukësi kanë besim se në ndeshjen e kthimit më 17 korrik në Maltë mund të sigurojë biletën për turin e dytë në Champions. Tani fjala i mbetet fushës, me ekipin e Pacult që pas shitjes së Sindrit Gurit te Ostende duhet të gjejë zgjidhje përpara portës dhe natyrisht i duhet të bëjë më tepër për ta fituar ndeshjen.

To Top