Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kategoria Superiore

Kukësi, Flamurtari e Vllaznia, bindin në merkato, Lushnja sërish e fundit

Kategoria Superiore do të ngrejë siparin për vitin 2018, nesër, kur do të zhvillohen të gjitha ndeshjet e javës së 17 dhe ku spikatin sfidat Flamurtari-Partizani, Vllaznia-Kukësi e Luftëtari-Skënderbeu.

Skuadrat kanë punuar mjaft mirë në periudhën e pushimit dimëror, duke realizuar thuajse të gjitha një fazë përgatiotore mjaft të mirë, por edhe merkato efikase.

Kështu Kukësi ka emëruar në pankinë austriakun emërmadh, Peter Pacult, ndërsa ka sjellë edhe disa emra të rinj në ekip dhe gjatë fazës përgatitore në Antalia, ka treguar se gëzon një formë të shkëlqyer. Kampionët në fuqi nuk kanë hequr dorë nga mbrojtja e titullit, teksa do të tentojnë të mësyjnë sërish kreun e renditjes.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Flamurtarin, që ndonëse ka zhvilluar një pjesë të parë të sezonit, mjaft të mirë, ka ndërhyrë për të kënaqur trajnerin Duro me disa afrime mjaft interesante.

Vllaznia është një tjetër ekip që ka qenë mjaft aktiv në këto ditë janari. Kuqeblutë kanë sjellë 3 futbollistë me eksperiencë në repartin e mbrojtjes, që cilësohej edhe si thembra e Akilit për ta. Gjithashtu, trajneri Gjoka do të ketë në dispozicion edhe një bomber me emër, pikërisht shkodranin Xhevahir Sukaj, që rikthehet te ekipi mëmë, me synimin për ta çuar sa më lart në renditje skuadrën.

Skuadra kryesuese, Skënderbeu ka punuar më shumë për merkaton e verës, ku ka siguruar shërbimet e talentit të Luftëtarit, Kristal Abazaj dhe me shumë gjasë edhe të Deivi Bregut. Nga ana tjetër, korçarët kanë larguar nga ekipi sulmuesin Nespor, që luajti vetëm pak minuta në kampionat, për shkak të dëmtimeve të vazhdueshme dhe kanë marrë mesfushorin me eksperiencë, Emiliano Vila.

Partizani është ekipi që ka bërë më shumë ndryshime në këtë sezon merkatoje. Të kuqtë vendosën të largojnë disa nga senatorët si Vila, Malota e Krasniqi, ndërsa faza përgatitore në Antalia u karakterizua nga momente tensioni që kulmuan me përplasjen mes trajnerit Starova dhe mesfushorit Trashi. Emrat e afruar në ekip janë futbollistë që njihen pak dhe ka shumë pikëpyetje mbi ambientimin e tyre në kampionatin shqiptar.

Surpriza e kampionatit, Kamza është goditur nga largimi i titullarit të mbrojtjes, Ivan Fustar, zëvendësuesin e të cilit nuk e ka gjetur ende. Gjithsesi, te kamzalinjtë është afruar mbrojtësi anësor pogradecar, Vangjo Zguro, që pjesën e parë të sezonit luajti me Luftëtarin.

Gjirokastritët kanë qenë gjithashtu aktivë në këtë merkato, teksa kanë afruar disa emra të rinj, por edhe qendërsulmuesin e njohur Vasil Shkurtaj dhe mesfushorin vlonjat Ledio Liçaj. Hasan Lika ka ndërhyrë vetëm për të riparuar defektet në formacionin e tij, që në javët e fundit të vitit të kaluar tregoi një rritje mjaft të madhe në karakter e rezultate.

Laçi i Mezanit nuk ka ndërhyrë shumë në merkato, teksa edhe vetë trajneri vlonjat ka kërkuar vetëm 2-3 afrime, të cilat i janë plotësuar nga klubi. Ndriçim Shtubina është emri më i bujshëm që i bashkohet laçianëve për pjesën e mbetur të sezonit, me shkodranin që u largua në fund të dhjetorit nga Kukësi.

Shumë ndryshime pësoi edhe Teuta, që fillimisht startuan me rrokadën në pankinë mes trajnerit Magani që u largua dhe Stavri Nicës që mori drejtimin e ekipit. Nga skuadra u larguan disa lojtarë, që nuk justifikuan besimin e skuadrës në fazën e parë, ndërsa u afruan të tjerë, si Arsid Kruja, që pritet të tregojnë se janë në lartësinë e duhur.

Lushnja ishte skuadra që ‘pati më shumë ftohtë’ këtë dimër, pasi skuadra e Dedjas kreu fazën përgatitore në Durrës, ndërsa në merkato provoi shumë lojtarë, por nënshkroi me vetëm pak prej tyre, për shkak të buxhetit të limituar.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Eredivisie

Lajm i keq për tifozët e Vitesses, skuadër e Eredivisies. Përmes një njoftimi zyrtar për shtyp, KNVB (d.m.th. Federata Holandeze e Futbollit) njoftoi se...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...