Abissnet Superiore

Kukësi, Gjici, e shkuara dhe Topi i Artë, Diego Longo rrëfehet për SuperSport

Kukësi është skuadra që po bën futbollin më të bukur në këto javë të para të Abissnet Superiores dhe për këtë meritë ka padyshim trajneri italian Diego Longo, që ka befasuar të gjithë me idetë dhe punën e tij.

Tekniku i verilindorëve, i cili pak njihej në Shqipëri para kësaj vere, ka bërë një rrëfim special për gazetarin e SuperSport, Rinald Bregasi, ku foli për takimin dhe raportet me Gjicin, planet e tij me Kukësin dhe gjithçka tjetër rreth futbollit.

Intervista e plotë – Nga Rinald Bregasi
Mister, ju pyesim pasi njerëzit këtu në Shqipëri duan të njohin Diego Longon. Një lloj interviste si një CV. Kush është Diego Longo si njeri dhe si trajner?
Diego Longo është një njeri i thjeshtë, ambicioz, që dashuron të përmirësohet dhe të arrijë sa më lart që të jetë e mundur në futboll, por është dhe një person i qetë, që dëshiron të qëndrojë në shtëpi, me miqtë. Le të themi që këtu në Tiranë kam gjetur një dimension timin, jam shumë mirë.

Bëra një kërkim për ju në internet, dhe mësova se keni qenë futbollist, por keni patur një karrierë të shkurtër, pasi në moshën 21-vjeçare një dëmtim ju detyroi të linit futbollin. Ishte një moment i vështirë?
Në fakt ishte shumë i vështirë, pasi natyrisht në atë moshë mendon vetëm të luash, je i ri. Pastaj më diktuan këtë problem, dhe madje ishte mundësia që të mos ecja më normalisht. Pastaj për fat kuptova se ishte momenti për ta shfrytëzuar sa më mirë këtë situatë, ndaj fillova të studioj, të punoj menjëherë për të bërë trajnerin.

Keni patur shumë eksperienca si trajner, Greqi, Lindje e Mesme, Lindje. Çfarë keni mësuar më shumë nga këto eksperienca?
Ajo që më dhanë më shumë, është të kuptoja diferencat mes vendeve, kulturave, zakoneve, dhe respekti sepse duhet ta kesh kudo që shkon. Pasi ka diferencë nëse je në Ukrainë apo në Arabinë Saudite dhe duhet t’ja dalësh të përshtatesh, të respektosh njerëzit për kulturën që kanë, kjo më ka dhënë më shumë.

Emri më i madh me të cilin keni punuar, të paktën për ne shqiptarët, besoj është Mircea Lucescu, një “përbindësh” për historinë që ka pasur. Si ishte të punoje me të dhe çfarë të shërbeu më shumë?
Ishte një fat, një nder pasi ai është një legjendë. Ishte një kënaqësi e madhe që më thërriti në një klub të rëndësishëm si Dinamo e Kievit. Ai ka një eksperiencë, një dinakëri jashtë të zakonshmes, dhe ajo që kuptova më shumë duke qenë pranë tij është se jo gjithmonë është teoria ajo që duhet të na udhëheqë në jetën tonë, në filozofinë edhe të lojës, por shpesh raportet dhe ndjesia që ke në disa situata janë gjëja më e rëndësishme dhe duhet të ndjekësh instiktin.

Këtu keni krijuar përshtypjen e një trajneri që dashuron sulmin, do që ta bëjë skuadrën të luajë. E keni nga Mircea apo ndonjë trajner tjetër, tipi Zeman?
Jo, është e vërtetë mua më pëlqen, por mbi të gjitha për karakteristikat që kemi te Kukësi, pasi kam lojtarë që janë të predispozuar për këtë lojë. Duke nisur që nga mbrojtësit si Bruno Lulaj, apo Hila që ishte një mesfushor por që në këtë ide loje po bën jashtëzakonisht mirë mbrojtësin e qendrës, por është i rëndësishëm edhe ekuilibri.

Jo si Zeman pra?
Jo si Zeman, me gjithë respektin. Por unë mendoj se në këtë moment një shëmbull mbi gjithë të tjerët është Guardiola, për atë që po jep me lojtarët që ka. Pastaj ka dhe filozofi të tjera si ajo e Klopp në nivel ndërkombëtar, Mircea është pak ndryshe, pak i veçantë. Edhe i një epoke tjetër.

Pastaj erdhi kjo ftesë nga Kukësi për të bërë për herë të parë trajnerin e parë. Si e pritët dhe çfarë ju bëri ta pranonit?
Ishte një periudhë që unë e prisja një mundësi të mirë që të nisja të bëja trajnerin. Kisha edhe një vit e gjysmë kontratë në Kiev me Dinamon, por nuk hezitova të zgjidhja kontratën pasi doja të ndiqja këtë dëshirë për tu vënë në provë. E ndieja se ishte momenti, nuk mund të prisja, pata dhe disa takime me klube të tjera, pastaj erdhi ftesa e Kukësit që ishte pak më e veçantë për momentin.

Çfarë ju pëlqeu te Kukësi?
Dua të them që vendet ku ka shumë pasion më tërheqin.

Edhe ju ndoshta jeni një trajner i këtij tipi?
Po, mua më pëlqen t’i jetoj 100% të gjitha situatat, edhe në futboll.

Më mirë “rreshter i hekurt” apo mik i futbollistëve?
Po jo unë rreshter i hekurt. Dua disiplinën, por kur rregullat janë një herë e mirë të qarta, sipas meje më mirë të jesh vetvetja, të kesh një raport të mirë me të gjithë. Unë dua të kem raport të mirë me të gjithë njerëzit dhe kjo vlen edhe për lojtarët.

Kur morët ftesën nga Kukësi, çfarë dinit për Shqipërinë?
Shiko, në Shqipëri unë kisha luajtur kundër Shqipërisë. Kur isha të kombëtarja e Rumanisë, pastaj kisha luajtur kundër Flamurtarit në Vlorë pak vite më parë, dhe e kisha ndjekur pak futbollin shqiptar, pasi disa vite më parë kishte qenë mundësia për të ardhur në një klub tjetër këtu.

Mund të na thoni se ku?
Jo, por kisha nisur ta ndiqja futbollin shqiptar, pastaj kam edhe disa miq shqiptarë në Itali.

Nuk e di sa është e vërtetë, por më kanë thënë se takimin e parë me Presidentin e Nderit, që praktikisht edhe komandon, Safet Gjicin, e keni patur në një fshat të Kukësit. Si ju duk që takonit presidentin jo në Tiranë, as në Kukës, por në një fshat të Kukësit?
Ishte e veçantë, pasi sapo kisha zbritur nga avioni, dhe ikëm direkt në një fshat sipër Kukësit, ndaj ishte.. Bukur. Ishte një provokim, por unë nuk kam frikë nga asgjë. Shërbeu për të kuptuar temperamentin e presidentit tonë, Gjici, ndaj dhe hyrja menjëherë në këtë realitet të ri.

Gjici këtu te ne është një njeri shumë ambicioz, shumë korrekt, por ka dhe namin që shkarkon trajnerët. Le të themi cilësia e tij më e mirë nuk është durimi me trajnerët. Ndoshta është pak i ashpër në komunikim, juve si ju duket?
Por që në fillim më duhet të them se sigurisht që ka shumë personalitet dhe është e drejtë të jetë kështu pasi është presidenti, dhe është e drejtë që presidenti të ketë një personalitet të fortë. Nga eksperienca kam qenë edhe në klube të tjera me personalitete të ngjashëm, si për shembull Panopoulos te Xanthi, për të mos folur pastaj për Savidis te PAOK, ndoshta edhe më i fortë si personalitet. Unë menjëherë pata një ndjesi të mirë me Gjicin, kemi respekt reciprok. Nuk e vuaj presionin dhe që do rezultate, pasi ai paguan dhe do rezultate. Në të njëjtën mënyrë respekton rregullat e mia dhe kërkesat, që është disiplina, puna. Jam shumë kërkues dhe shoh se më ka plotësuar kërkesat.

Mund ta na thuash pak me sinqeritet. Si ishte ai momenti kur bëre një deklaratë që u interpretua si dorëheqje nga ana juaj, pastaj ndërhyri Gjici dhe tha trajneri qëndron këtu?
Ishte një moment i veçantë, pasi kishte ca ditë që sipas meje duhet të rregullonim pak organizimin e brendshëm. Ishim përmirësuar në aspektin organizativ, por duhej një hap i vogël përpara, një shkundje duhet të them.

Pra e bëre qëllimisht?
Nuk është se e bëra me qëllim, pasi nuk thashë se do të largohesha, por thashë se ishte momenti që të uleshim në një tavolinë dhe të diskutonim për të ndryshuar gjërat.

Apo ndoshta vure veten në dispozicion të presidentit?
Ekzaktësisht, unë për të vazhduar në atë moment kisha nevojë për ca gjëra të caktuara. Nuk kërkova hënën, por duhej pak më tepër organizim.

Shërbeu pra, nëse rezultatet nuk janë koincidencë…
Gjërat ndryshuan pak, unë gjeta shumë gatishmëri dhe besim nga ana e Gjicit, ndaj e falënderoj dhe do ta falënderoj gjithmonë, pasi ishte ai që dha shkundjen i pari. Pastaj që aty ne arritëm të punonim mirë dhe deri tani na ka ecur mirë, pastaj kampionati është i gjatë.

Po ecni mirë në kampionat apo jo, keni rikuperuar në klasifikim?
Po, sipër çdo pritshmërie

Dhe ku do të arrini?
Nuk e dimë por do ta provojmë.

Atëherë ku ëndërroni të arrini?
Gjëja e parë që kam folur me djemtë ishte për ëndrrën e secilit prej nesh, pasi çdonjëri prej nesh ka një ëndërr, por nuk duhet t’ua themi të tjerëve por të punojmë.

Te Kukësi ky është ndoshta sezoni i parë në këto 10 vitet e fundit që nuk përmendet fjala titull, ta përmendim po apo jo?
Po jo, do të ishte e nxituar, jashtë vendit. Ka skuadra shumë më të mirë-pajisura se ne. Kjo nuk do të thotë se nuk do të luftojmë. Për këtë i siguroj tifozët edhe pse besoj se ata më njohin se në çdo stërvitje, çdo ndeshje japim maksimumin, por është fillimi. Të shohim në mars, nëse do të jemi në këto kushte.

Çfarë ju pëlqen më shumë nga skuadra juaj? Cila është pika e fortë e Kukësit?
Grupi, uniteti i grupit, gatishmëria e lojtarëve. Jam vërtetë me fat, pasi kam në dispozicion njerëz të jashtëzakonshëm, pasi nuk është e lehtë të presësh një trajner me ide krejtësisht ndryshe dhe të vihesh në dispozicion, dhe falë tyre ka funksionuar.

Po nga djemtë çfarë ju nxeh më shumë?
Nuk nxehem shumë.

Po kush të nxeh më shumë? Na jep një përgjigje.
Po jo, jo, ndonjëherë ndonjë lojtar sjell në fushë ‘vëllanë e keq” Mr Hyde, pastaj kthehet në Dr. Jekyll dhe jemi në rregull. Por përtej shakave kemi një raport të mirë, jetohet mirë, shkojmë në fushë të kënaqur.

Paguhet mirë në Shqipëri?
Paguhet ajo që duhet paguar, por të them të vërtetën, në këtë hap të karrierës time, ndoshta paratë nuk janë gjëja që duhet të mendoj më shumë. Kjo pasi duhet të provoj se mund të vlej dhe sa mund të vlej, dhe pastaj të shohim.

U bë ca kohë në Shqipëri, si të duket? Sidomos Tirana
Mirë, shumë mirë. Jam përshtatur shumë shpejt dhe më pëlqen. Jetoj pranë liqenit, çka më mundëson të shkoj në stërvitje shpejt, duke evituar trafikun. Njerëzit janë të shoqërueshëm, ndaj e gjej veten mirë dhe pastaj ushqimi është shumë i mirë.

Po shqiptarët si njerëz, si karakter?
Mirë, kanë personalitet të fortë në momente të caktuara, por duke qenë se kam jetuar në Greqi, ka diçka të ngjashme, diçka ballkanike. Unë e ndiej veten shumë mirë.

Çfarë keni mësuar nga gjuha jonë, përveç sharjeve?
Ato mi mësuan menjëherë djemtë. Pa shaka, mua më pëlqen të mësoj gjuhë. Në fakt kur isha në Ukrainë po studioja rusishten, rumanishten tanimë e flas shumë mirë, por këtu për fat të keq…

Është e vështirë shqipja?
Jo, është koha që më mungon, pasi kam punuar kaq shumë sa nuk kam pasur kohë për të mësuar.

Na thuaj dy fjalë shqip…
(Thotë shqip bukë misri). Duket që je trajner i Kukësit.

Ju mungon familja? Është vështirë të punosh larg saj?
Po, më mungon, fëmijët më mungojnë shumë. Kam dy djem të vegjël dhe e ndiej mungesën, por prezenca e stafit që më qëndron pranë, e po ashtu edhe e djemve më ndihmon shumë. Nëse nuk do të ishte kjo atmosferë e bukur…

Do të ishte shumë e vështirë…
Ndoshta s’do të kisha qëndruar, por këtu kam si një familje të dytë.

Vjen fjala për të qëndruar. Nëse fitoni titullin, do të qëndroni te Kukësi? Pasi keni një kontratë deri në fund të sezonit.
Nëse fitojmë titullin do jemi aq të lumtur sa kushedi se çfarë ndodh. Ne duhet të mendojmë ndryshe. E kam thënë që në fillim, ajo që mungon këtu është ekuilibri, balanca. Ne duhet t’i marrim gjërat me radhë, pastaj të shohim se çfarë ndodh. Marrim gjërat me radhë, pastaj nëse jemi të kënaqur të gjithë do të qëndrojmë bashkë.

Por na thuaj diçka konkrete…
Po jo, është vërtetë e parakohshme. Tani duhet të luftojmë, pastaj ku i dihet, ndoshta mërzitet Gjici dhe nuk e mbyll sezonin. Nuk do të ishte diçka e rrallë. Paralajmërimin e bëmë! Jo, është shaka…..

Shoh se në Facebook bën ndonjëherë analiza të futbollit italian dhe Serisë A, tifoz i kujt skuadre jeni?
Unë kam lindur në Gjenova, ndaj fëmijë ndiqja në stadium skuadrat gjenoveze. Por më duhet të them se në 17 vitet e fundit fjala tifoz nuk më përket. I shoh gjërat ndryshe, por më pëlqen futbolli italian.

Ke frikë ta thuash, pasi nëse thua Inter, një ditë nuk të merr Milani?
Jo jo, s’kam frikë nga asgjë, por gjenovez, shoh Genoa-Sampdoria…

Epo duhet të jesh me një nga gjenovezet, pasi është një derbi i zjarrtë…
Ju nuk e njihni Gjenovan. Nëse them një skuadër, nesër më sulmon gjysma tjetër e qytetit.

Bënë mirë që ja dhanë Topin e Artë Messit këtë vit?
Është e vështirë të thuash diçka kundër një monumenti si Messi.

Po, por pyetja ishte…
Për mua jo, pasi nëse vlerësohet ajo që ndodhi dy vitet e fundit, duke qenë se vitin e kaluar nuk u dha, duhej t’ja jepnin Lewandowskit. Nëse do të vlerësohej ajo që ndodhi vitin e fundit, sipas meje duhej t’ja jepnin Jorghinos pasi fitoi gjithçka si me klubin dhe me kombëtaren, ndaj e meritonte. Messi sipas meje…

I dhanë një çmim për karrierën?
Eh, po i kishte fituar 6. Pastaj ka dhe lojtarë si Maldini dikur, ka patur shumë. Unë do të preferoja Jorghinon apo Lewandowskin për të thënë të vërtetën.

Me Kukësin luani gjithmonë jashtë, 10 stadiume figurativisht. Është e vështirë? Edhe pse shpejt do të luani në stadiumin tuaj.
Është e vështirë, por nuk duhet të jetë një alibi, dhe nuk ka qenë deri më tani. Pastaj në fund të fundit, nëse e di se çfarë duhet të bësh, kudo luan nuk është një problem. Sigurisht që me zor presim të jemi në stadiumin e ri.

Kur do merrni kreun? Kur do ta lini pas Tiranën?
Shpresoj t’ia dalim ndoshta kur të shkojmë në stadiumin tonë. Të luajmë para publikut tonë si të parët në klasifikim. Do të ishte ëndërr, do të ishte bukur. Do ta provojmë!

Keni një mesazh për tifozët?
Të na qëndrojnë pranë. Po bëjmë ç’është e mundur për t’u prezantuar në Kukës duke i bërë të lumtur.

Mister, ju falënderoj që pranuat ftesën për këtë intervistë. Si ta mbyllim? Forca Kukësi apo Forca Longo?

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

Premier League 2022/2023

PWDLGFGADifPts
1Manchester City
2
2
0
0
6
0
+6
6
2Arsenal
2
2
0
0
6
2
+4
6
3Brentford
2
1
1
0
6
2
+4
4
4Tottenham Hotspur
2
1
1
0
6
3
+3
4
5Newcastle United
2
1
1
0
2
0
+2
4
6Leeds United
2
1
1
0
4
3
+1
4
7Chelsea
2
1
1
0
3
2
+1
4
8Brighton & Hove Albion
2
1
1
0
2
1
+1
4
9Aston Villa
2
1
0
1
2
3
-1
3
10Nottingham Forest
2
1
0
1
1
2
-1
3
11AFC Bournemouth
2
1
0
1
2
4
-2
3
12Fulham
2
0
2
0
2
2
0
2
13Liverpool
1
0
1
0
2
2
0
1
14Wolverhampton Wanderers
2
0
1
1
1
2
-1
1
15Leicester City
2
0
1
1
4
6
-2
1
16Southampton
2
0
1
1
3
6
-3
1
17Everton
2
0
0
2
1
3
-2
0
18Crystal Palace
1
0
0
1
0
2
-2
0
19West Ham United
2
0
0
2
0
3
-3
0
20Manchester United
2
0
0
2
1
6
-5
0


To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency