Nga Kukësi nuk largohet vetëm Emiljano Musta. Klubi verilindor, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka njoftuar ndërprerjen e marrëdhënieve, përveçse me Mustën, edhe me Ardit Hilën. Të dy lojtarët kanë pasur mosmarrëveshje me trajnerin Diego Longo, i cili nuk u ka dhënë hapësira në formacion. Hila, në fakt, prej muajsh nuk ka qenë pjesë e ekipit të parë, ndërsa Musta nuk është preferuar gjatë javëve të fundit, madje as nuk është stërvitur me pjesën tjetër të skuadrës.
Me përfundimin e sezonit (Kukësi ende nuk është i sigurt nëse do të luajë në Europë, pasi varet nga rezultati i finales së Kupës së Shqipërisë), klubi verilindor ka nxituar të zyrtarizojë largimet e para, që pritet të pasohen nga të tjerë, pasi rezultatet gjatë 2021-2022 kanë qenë poshtë pritshmërive.
