Kategoria Superiore

Kukësi shpall ‘non grata’ Enea Jorgjin

Humbja ndaj Kamzës ishte një tjetër pikë e errët e sezonit problematik që ka zhvilluar Kukësi deri më tani. Disfata u pasua me polemikat e klubit blu dhe akuzat e drejtpërdrejta ndaj gjyqtarit Enea Jorgji, aq sa u përpilua edhe një komunikatë për mediat, ku shpallej “non grata” arbitri elbasanas.

Rastet e pretenduara ishin dy momente të dyshimta brenda zonës së Kamzës, të cilat nuk u vlerësuan për 11-metërsh nga Jorgji. Të mërkurën kampionët kanë një sfidë të rëndësishme në Kupën e Shqipërisë përballë Tiranës dhe gjakrat nuk janë qetësuar kundrejt gjyqtarit.

Klubi veri-lindor i ka kërkuar zyrtarisht Federatës Shqiptare të Futbollit që mos t’ia besojë gjykimin e këtij takimi, Enea Jorgjit. Në krahun tjetër, bardheblutë kërkojnë që ndeshja, e cila do të përcaktoj një nga 4 skuadrat gjysmëfinaliste, të drejtohet nga një gjyqtar me stemën e FIFA-s.

Nëse Federata Shqiptare e Futbollit vendos të plotësojë kërkesat e dy klubeve, atëherë zgjedhja do të jetë mes Eldorian Hamitit dhe Andi Koçit. Kujtojmë që sezonin e shkuar Kukësi pati kontestime ndaj Koçit, pas një takimi të barazuar brenda në “Zeqir Ymeri” kundër Vllaznisë.

Sfida e parë mes Kukësit dhe Tiranës, e zhvilluar në “Selman Stërmasi”, përfundoi me rezultatin 1-1, ndërsa ndeshja e kthimit do të luhet të mërkurë në orën 13:00.

To Top