Tirana ka arritur të ‘hakmerret’ ndaj Vllaznisë, duke e mposhtur me rezultatin e pastër 2-0, në takimin e vlefshëm për Kupën e Shqipërisë, në ‘Selman Stërmasi’. Në klasiken e futbollit shqiptar, bardheblutë arritën të dominonin, ndërsa në pjesën e dytë gjetën 2 herë rrjetën dhe tani janë shumë pranë kualifikimin. Pjesa e parë ishte disi më e ekuilibruar, me skuadrën e Ze Marias që ishte më e qartë në aksionet e saj sulmuese, ndërsa shkodranët kërkonin të rrezikonin nëpërmjet kundërsulmeve të shpejta.
Në pjesën e dytë, djemtë e Gjokës filluan të ndjejnë lodhjen, pasi luanin takimin e 3-të brenda javës dhe si rrjedhojë humbën terren ndaj bardhebluve. Nga ana tjetër, Tirana rriti presionin dhe arriti të gjejë golin me sulmuesin Bedri Greca, në minutën e 68’, pas një aksioni të bukur të nigerianit Ngo. Pak minuta më vonë, ishte mbrojtësi brazilian Uellison, që mposhti portierin Sherri me kokë, pas një krosimi nga këndi i Karabecit. Kështu, pasi Vllaznia e çoi një kategori më poshtë, në takimin e fundit të sezonit të kaluar, këtë herë Tirana është shumë pranë nxjerrjes jashtë Kupës së Republikës, të shkodranëve.
Skuadrat e mëdha hedhin një hap të sigurt drejt kualifikimit për në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, pasi kanë arritur fitore në transfertë në ndeshjet e para të fazës së 1/8-ave. Kështu në Grupin A Kukësi triumfoi 1-4 në transfertë me Erzenin, me sfidën e kthimit që mbetet thjesht një formalitet. Nuk lëshoi në fushën e Besëlidhjes as Skënderbeu, që iu imponua 0-1 ekipin lezhjan, ndërsa Teuta barazoi 1-1 në transfertë me Kamzën, në një sfidë ku përplaseshin dy ekipet të Superiores.
Në Grupin B Bylis fitoi 2-1 me Luftëtarin në Ballsh, duke e vënë jo pak në vështirësi skuadrën që drejtohet nga Hasan Lika, ndërsa Laçi u tregua superior ndaj Lushnjës në “Roza Haxhiu”, duke triumfuar 1-3. Rezultat tenistik i Flamurtarit në fushën e Turbinës, ku kuqezinjtë shënuan një fitore të thellë 1-6.
KUPA E SHQIPËRISË TURI 1/8
GRUPI A
ERZENI-KUKËSI 1-4
Shënues: Goxhaj 86′ / Guri 5’, 16’, Koldashi 52’, Peposhi 88′
BESËLIDHJA-SKËNDERBEU 0-1
Shënues: Kelmendi 28’
KAMZA-TEUTA 1-1
Shënues: Rezi 1’ / Latif 30’
TIRANA – VLLAZNIA 2-0
GRUPI B
BYLIS-LUFTËTARI 2-1
Shënues: Kolgega 14’, Murataj 22’ / Ramadani 85′
LUSHNJA-LAÇI 1-3
Shënues: Pepa 69’ / Xhixha 26’, 29’, Bushi 67’
TURBINA-FLAMURTARI 1-6
Shënues: Dollani 60’ / Licaj 17’ (11-m), Kamarra 30’, Toungara 39’, 85′, Hyseni 73’, Hoxhaj 82′ (11-m)
30 NËNTOR
POGRADECI – PARTIZANI