La Liga ul siparin/ Verdiktet finale, skuadrat që siguruan Europën

La Liga ul siparin e sezonit 2021-2022, me kampionatin spanjoll që në fundjavë dhuroi të gjitha verdiktet.
Real Madrid, kampionët e këtij sezoni, e mbyllën me një barazim pa gola në “Santiago Bernabeu” përballë Real Betis. Dy skuadrat e mbyllën këtë edicion me trofe, pasi Betis triumfoi në finalen e Kupës dhe do të luajë në grupet e Europa League sezonin e ardhshëm, pasi u rendit në vendin e pestë. Madrilenët e përfunduan sezonin në koutën e 86-të pikëve, me sulmin më të mirë, 80 gola dhe gjithashtu skuadra me më shumë fitore, 26 të tilla.
Barcelona, me statusin e skuadrës nënkampione, u mund në shtëpi në javën e fundit, në sfidën ndaj Villarreal. Gjithsesi nuk ndikoj në renditje, pasi katalanasit kishin siguruar vendin e dytë, ndërsa “nëndetësja e verdhë”, me suksesin e arritur në “Camp Nou” siguroi biletën e fundit europiane (vendi i shtatë), në “Conference League”.
Atletico Madrid dhe Sevilla mbyllën sezonin respektivisht në vendin e tretë dhe katërt, duke siguruar biletat e fundit për në Champions League. Skuadra e Simeones e mbylli edicionin me fitore në “tokën” baske përballë Real Sociedad, ndërsa Sevilla triumfoi minimalisht ndaj skuadrës tjetër baske, Athletic Bilbao. Këta të fundit mbetën “thatë”, pasi humbën vendin e shtatë dhe të drejtën për të luajtur në arenën europiane.
Sa i përket fundit të klasifikimit, Granada, Levante dhe Alaves nuk ia dolën të mbijetonin në këtë edicion dhe do të luajnë në Segunda Division sezonin e ardhshëm. Në limite, Mallorca dhe Cadiz siguruan qëndrimin edhe për një vit në mesin e skuadrave më të mira të Spanjës.
VERDIKTET E PLOTA
Kampion: Real Madrid
Champions League: Real Madrid, Barcelona, Atletico Madrid dhe Sevilla
Europa League: Real Betis dhe Real Sociedad
Conference League: Villarreal (Kualifikuese)
La Liga 2: Granada, Levante dhe Alaves
