Kategoria Superiore

Laçi “emigron” në Krujë për të sfiduar Flamurtarin

Fusha e stadiumit të Laçit në këtë fillim sezoni nuk ka reflektuar një gjendje të mirë, ndryshe nga sezonet e kaluara ku katërkëndëshi i gjelbër ka qenë përherë në gjendje optimale. Shkak është prishja e barit nga faktorë të ndryshëm që nuk kanë aspak lidhje me mirëmbajtjen dhe në këtë mënyrë, klubi kurbinas ka vendosur të kryejë proçesin e mbjelljes së pjesshme të barit. Një shëmbul të tillë e ndoqi edhe Flamurtari që pati të njëjtin problem. Në këtë mënyrë, ndeshjen e së hënës pikërisht kundër vlonjatëve, Laçi ka vendosur ta luajë në stadiumin e qytetit të Krujës pasi riparimi i plotë i fushës kërkon disa ditë.

Puna për mbjelljen e pjesshme të barit nisi që pas ndeshjes me Vllazninë dhe ishte pikërisht ajo ndeshje që vuri jo pak në vështirësi të dyja skuadrat për të shpregur gjithë potencialin për shkak të terrenit të vështirë. Caktimi i stadiumit të Krujës është bërë për shkak të afërsisë që ka qyteti i Laçit me këtë stadium ku tifozët kurbinas do të kenë mundësi të ndjekin nga afër skuadrën e tyre e cila do të rikthehet në shtëpi për sfidën kundër Kamzës.

To Top