Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kategoria Superiore

Laçi mposht Kukësin dhe nuk heq dorë nga “ëndrra” titull!

Laçi i Shpëtim Duros rikthehet te fitorja pas dy barazimesh radhazi dhe mban gjallë shpresat për titull. Bardhezinjtë mposhtën pa vështirësi 2-0 Kukësin në Kurbin duke regjistruar fitoren e 4-t radhazi në sfidat shtëpiake ndaj verilindorëve në kampionat. Me një Kukës të zhveshur nga çdo objektiv dhe që për momentin nuk rrezikon mbijetesën, Laçi kishte një marsh më shumë në këtë sfidë që në fillim. Në minutën e 3-të kurbinasit patën dy mundësi por si Lushkja ashtu edhe Zylfiu gjuajtën keq, duke mos gjetur portën e Xhikës. Në minutën e 5-të Bruno Lulaj në tentativë për të shmangur Mazrekajn shkeli topin dhe më pas mbajti për fanelle fantazistin e Laçit, me gjyqtarin Cjapi që nuk kishte dyshime duke akorduar penallti për vendasit. Ekzekutimin e mori përsipër Regi Lushkja i cili u ndal nga Xhika por topin e kthyer nga portieri i Kukësit, mesfushori i Laçit e dërgoi në rrjetë në tentativën e dytë.

Protesta të futbollistëve të Kukësit me pretendimin se dy lojtarë kishin hyrë në zonë përpara se të godiste kapiteni i Laçit, por për gjyqtarin goli ishte i rregullt. Kukësi u përpoq të reagonte shpejt, teksa dy minuta më vonë iu afrua golit të barazimit me mesfushorin Gjelbërim Taipi, por goditja e tij u ndal nga Sherri. Në minutën e 17-të një tjetër gabim në mbrojtjen e Kukësit që nuk u shfrytëzua si duhet nga Harmon goditja e të cilit përfundoi mbi traversë. Në të 21-ën provoi sërish Kukësi me Eze që tentoi me kokë pas krosimit të Kotobellit, por goditja e sulmuesit të verilindorëve gjeti vetëm rrjetën e jashtme. Eze pati tjetër shans në minutën e 30-të por goditja e nigerianit nuk gjeti portën e Alen Sherrit. Po nuk shënove do të pësosh dhe ligji i pashkruar i futbollit u përsërit edhe në këtë sfidë me Regi Lushkjan që një minutë më vonë realizoi një supergol për avantazhin e dyfishtë të Laçit. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë pavarsisht një tentative të dobët të Taipit në të 41-ën që nuk solli asnjë rrezik për Sherrin. Fraksioni i dytë i lojës nisi më mirë për skuadrën e Josës.

Në të 48-ën Agim Ibraimi për pak sa nuk realizoi një perlë por ishte i pafat me goditjen e tij plot klas që u ndal nga traversa. 2 minuta më vonë Ibraimi tentoi sërish por këtë herë goditja e tij mori kundërpërgjigjen e Sherrit. Në të 51-ën edhe goditja e Vesel Limajt shkoi jashtë ndërsa në minutën e 62-të Kukësi pretendoi për një penallti pas goditjes se Eze që u ndal nga Ignjatovic. Në të 75-ën ishte radha e Laçit për të rrezikuar portën e Xhikës, por Malota nuk ia doli ta dërgojë topin në rrjetë. Deri në fund pavarsisht përpjekjeve të të dyja ekipeve shifrat nuk ndryshuan më, me Laçin që u ngjit në kuotën e 53 pikëve dhe tashmë shpreson te hapat fals të rivalëve për të synuar deri në javën e fundit ëndrrën titull.

Lajme të tjera

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...

Champions League

Champions League do të nisë sezonin e ri me një formulë të re, teksa rrugëtimi do të startojë nga një grup i vetëm, me...

Kombëtare

Një humbje djeg gjithmonë edhe në miqësore, megjithatë ajo e Shqipërisë ndaj Suedisë mund të shihet me shumë nota pozitive. Të mposhtur me rezultatin...