5 fitore radhazi këtë edicion i ka regjistruar vetëm Laçi, që rihedh fuqishëm kandidaturën për të sulmuar titullin. Një objektiv që një muaj më parë dukej i vështirë, me kurbinasit që, falë kësaj ecurie rekord të kampionatit, janë vetëm 5 pikë larg kreut. Megjithatë, ka diçka negative në këtë moment brilant për bardhezinjtë: në sfidën më vendimtare shkojnë me gjysmën e formacionit në dyshim.
Ndaj Partizanit mungesat e sigurta për trajnerin Shpëtim Duro janë mbrojtësi Emiliano Musta, që plotësoi numrin 4 të kartonëve të verdhë në fundin e sfidës me Kastriotin, si dhe goleadori Kyrian Nwabueze, i cili u dënua 10 javë nga komisioni i disiplinës pas ngjarjeve në duelin me Bylisin në “Adush Muça”.
Sikur të mos mjaftojnë këta dy lojtarë të dënuar, te Laçi janë në dyshim dhe 3 lojtarë kryesorë, nga ata që mbajnë peshën në ekip. Mentor Mazrekaj u detyrua të dilte nga fusha e lojës i dëmtuar në përballjen me Kastriotin, teksa disa minuta më vonë të njëjtën gjë bëri edhe mesfushori Ardit Deliu.
Të dy lojtarët i janë nënshtruar ekzaminimeve mjekësore për të parë gradën e dëmtimit teksa kanë munguar në seancat e para stërvitore. Gjasat janë të mëdha që të dy të mungojnë në sfidën e së shtunës, edhe pse stafi mjekësor kërkon të bëjë të pamundurën për t’i vënë në dispozicion të trajnerit.
Tjetër mungesë është ajo e Renato Malotës, i cili u dëmtua një ditë përpara sfidës me krutanët, teksa ende nuk është përcaktuar data e rikthimit të tij me skuadrën. Kaq shumë mungesa zbehin entuziazmin tek Laçi, që gjithsesi kërkon të ruajë ritmin e fitoreve për të dhënë drejtimin e duhur sezonit.
