Menjëherë sapo siguroi kalimin në fazën e 1/8-ave, ku do të përballet me Senegalin, Anglia ka marrë një lajm të keq. Mbrojtësi i Arsenalit, Ben White është larguar nga qendra e grumbullimit të “tre luanëve” në Al Wakrah dhe është kthyer në Londër për arsye personale.
Lajmi e ka bërë të ditur vetë Federata Angleze e Futbollit, që ka raportuar se mbrojtësi White është rikthyer në Angli dhe ka kërkuar që të respektohet privatësia e tij, duke mos zbuluar shkaqet e largimit.
Ben White nuk është përdorur në asnjë nga tre ndeshjet e para të Anglisë në fazën e grupeve, pasi trajneri Southgate ka konfirmuar besimin te dyshja Stones-Maguire në qendër të mbrojtjes.
