Connect with us

Hi, what are you looking for?

La Liga

Merr fund “telenovela” Messi, sulmuesi shpërthen ndaj Bartomeut dhe qëndron te Barça

Pavarësisht ngjarjeve të shumta dhe dëshirës së hapur për t’u larguar, “telenovela” Lionel Messi është mbyllur me fund të lumtur për Barcelonën, që do të ketë në gjirin e saj 6 herë fituesin e Topit të Artë, për të paktën edhe një sezon.

Gjithçka e ka konfirmuar vetë ylli argjentinas, nëpërmjet një deklarate për mediat, ku ka sqaruar se nuk do të shkonte kurrë në një betejë ligjore kundër “klubit të jetës së tij” dhe në të njëjtën kohë nuk i ka kursyer sulmet ndaj presidentit Bartomeu.

“Ka qenë një vit shumë i komplikuar dhe vazhdimisht ua kam bërë të qartë drejtuesve se dua të largohem. Kam vuajtur shumë në stërvitje, në dhomat e zhveshjes dhe në ndeshje, ndaj doja një sfidë të re dhe këtë ia bëra të qartë klubit para humbjes me Bayernin, që nuk peshoi aspak në vendimin tim. Presidenti Bartomeu më kishte premtuar shumë herë se në fund të sezonit do të ma linte mua në dorë të vendos, nëse do të rri apo do të largohem, por nuk e mbajti fjalën. Nga ana tjetër, nunë nuk do të largohesha kurrë në rrugë ligjore kundër klubit të jetës time dhe për këtë arsye vendosa të qëndroj edhe një sezon te Barcelona”, deklaroi Messi.

Ylli argjentinas, në intervistën e dhënë për “Goal.com”, ka treguar se ka mbetur i zhgënjyer edhe me trajtimin që i është bërë te Barcelona.
“Shumë gjëra që janë thënë, më kanë bërë të ndihem keq. Dashuria ime për Barcelonën nuk duhet të vihet në dyshim dhe nuk do të ndryshojë kurrë, pasi kam vënë gjithmonë interesat e klubit para gjithçkaje. Unë edhe në të kaluarën kam pasur mundësinë të largohem shumë herë dhe të fitoj shumë më tepër, por nuk e kam bërë kurrë, për shkak të dashurisë që kam për këtë fanellë. Gjithmonë kam thënë se kjo është shtëpia ime dhe se gjetja e diçkaje më të mirë ishte e vështirë, Por këtë vit e ndjeva se duhet të ndryshoja, pasi kisha nevojë për stimuj të rinj dhe një ambient të ri”, u shpreh Messi.

Më pas “Pleshti” ka sulmuar sërish presidentin Bartomeu, duke thënë se te Barcelona nuk ka një projekt fitues dhe se ai do të japë maksimumin për këtë fanellë sa herë që do të zbresë në fushën e lojës.

“Kam thënë gjithmonë se dua të qëndroj këtu, por dua një projekt fitues dhe të fitoj sa më shumë tituj, për të rritur legjendën e Barcelonës. E vërteta është se nuk ka asnjë projekt. Ata mashtrojnë dhe mbyllin vrimat, ndërsa koha kalon dhe gjërat mbeten njësoj. Megjithatë unë do të vazhdoj te Barcelona dhe sjellja ime në fushë nuk do të ndryshojë”, u shpreh argjentinasi.

Më pas Messi ka sqaruar edhe të gjithë rrëmujën e krijuar ditët e fundit, që prej të famshmit “burofax”, ku i kërkonte Barcelonës zyrtarisht largimin, ndërsa shpjegoi edhe arsyen pse nuk e dorëzoi njoftimin brenda datës 10 qershor, siç parashikohej në kontratë.

“Kam parë gjithmonë larg dhe doja të garoja në nivele të larta, të synonim Ligën e Kampionëve. Është një kompeticion që mund ta fitosh ose jo, por unë dua që të jemi pretendentë dhe të garojmë deri në fund. Të paktën të provojmë dhe të mos rrëzohemi si në Romë, Liverpool e Lisbonë. Dhe kjo më bëri të mendoj për vendimin për t’u larguar. Siç u tha, unë mendova dhe isha i sigurt që isha i lirë të largohesha, pasi presidenti gjithmonë thoshte se në fund të sezonit mund të vendosja nëse do të qëndroja apo jo. Tani ata kapen me faktin se unë nuk e komunikova vendimin para 10 qershorit, ndërkohë që ne në atë datë ishim në garë për të fituar La Ligën dhe për më tepër, në një situatë të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë.

Tani do të qëndroj te Barcelona, pasi presidenti më tha se mund të largohem vetëm nëse paguhen 700 milionë euro. Ka edhe një mënyrë tjetër për t’u larguar, që është gjyqi, por unë nuk mund të ngre kurrë padi kundër klubit tim të zemrës. Barcelona më ka dhënë gjithçka që kur kam ardhur, është klubi i jetës sime, unë e kam kaluar jetën time këtu. Barça më ka dhënë gjithçka dhe unë kam dhënë gjithçka. E di që nuk më ka shkuar kurrë në mendje ta çoj Barcelonën në gjyq. Burofaxi ishte për ta bërë vullnetin tim për t’u larguar, më zyrtar. Unë vazhdimisht ia kisha bërë të qartë Bartomeut se dua të largohem në kërkim të sfidave dhe objektivave të rinj, ndërsa ai më kishte thënë shprehimisht se do të flasim në një tjetër moment dhe se unë do të isha i lirë të vendosja vetë në fund të sezonit. Tani më kujtojnë 10 qershorin, por atëherë ishim në mes të garave dhe kishim pretendime, ndaj nëse do t’ua bëja të ditur vendimin, do më akuzonin se nuk isha më i përqendruar te klubi. Burofax nuk ishte për të shkaktuar debate me klubin, pasi nuk e dua këtë”, u shpreh Messi.

Tani ylli argjentinas pritet të kryejë testin për koronavirusin dhe të vihet menjëherë në dispozicion të trajnerit Ronald Koeman, për të nisur përgatitjet për sezonin e ri, që e sheh sërish me fanellën e Barcelonës.

Kujtojmë që ylli Messi vendosi të largohej nga Barcelona dhe në fund të muajit gusht doli hapur, duke dërguar edhe një letër zyrtare, ku njoftonte klubin për aktivizimin e klauzolës për prishjen e parakohshme të kontratës.

Më pas argjentinasi vendosi të mos paraqitet në grumbullim më 31 gusht, duke bërë të qartë se vullneti i tij është të largohet, por presidenti Bartomeu qëndroi i palëkundur në vendimin e tij për të mos prishur kontratën.

Pas dy ditësh negociata mes numrit një të klubit katalan dhe babait të Lionel Messit, ky i fundit arriti në konkluzionin që nga Barça mund të largohej vetëm në rrugë ligjore, por koha e shkurtër nga nisja e sezonit të ri nuk premtonte dhe vendosi të qëndrojë edhe një vit në “Camp Nou”.

Kujtojmë që kontrata e 6 herë fituesit të Topit të Artë skadon pikërisht më 30 maj të 2021-shit dhe që prej verës së ardhshme, sulmuesi argjentinas mund të vendosë lirisht për të ardhmen e tij, që me shumë gjasa do të jetë larg Barcelonës.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...

Champions League

Borussia e Dortmundit në gjysmëfinale të Championsit. Skuadra gjermani bëri mrekullinë në ndeshjen e kthimit ndaj Atleticos së Madridit, të cilin e mposhti 4-2,...