Connect with us

Hi, what are you looking for?

Basketboll

Lakers rikthehen me LeBron James, Jazz vazhdojnë të ëndërrojnë

Tri ditë pas humbjes së dhimbshme me Golden State Warriors në “Staples Center”, ekipi i Los Angeles Lakers u rikthye shpejt në rrugën e fitoreve, duke mundur me shtatë pikë brenda në Wisconsin Milwaukee Bucks. Ditën e martë ekipi i drejtuar nga trajneri Frank Vogel shpërdoroi epërsinë e plot 19 pikëve ndaj franchise-t nga San Francisco, sidoqoftë këtë herë kampionët në fuqi nuk përsëritën më të njëjtat gabime dhe zhvilluan një ndeshje vërtet shumë të mirë ndaj një kundërshtari si Milwaukee Bucks, që konsiderohet si ekipi i dytë më i fortë në gjithë Konferencën e Lindjes, pas vetëm Brooklyn Nets.

Në “Fiserv Forum” vendasit u shkëputën deri në +6, megjithatë ky ishte maksimumi që mundi të bënte ekipi i drejtuar nga trajneri Mike Budenholzer, pasi Lakers u rikthyen për të marë kontrollin e ndeshjes që në fundin e pjesës së parë. “Liqenorët” shkuan në interval me avantazhin 63-57, dhe ekipi kalifornian nuk e ktheu më kokën pas, për të mbyllur krejt takimin me fitoren 113-106.

“Mbreti” James shënoi 34 pikë në 38’ që qëndroi në parket, gjithsesi LeBron kontribuoi gjithashtu edhe me 6 topa të rekuperuar dhe 8 asist, ndërsa lojtari më i vlefshëm i dy sezoneve të fundit, Giannis Antetokounmpo, e përfundoi takimin me 25 pikë e 12 rebound për Bucks.

Spikati te Lakers Caldwell – Pope me 23 pikë në 27’, 21 prej të cilave nga jashtë harkut me gjuajtje për 3, ndërkohë ylli tjetër i skuadrës Anthony Davis e mbylli mbrëmjen me 18 pikë e 9 rebound. Pavarësisht kësaj disfate të pësuar Milëaukee kryeson Divizionin Qendror në Lindje me 9 fitore e 6 humbje, ndërsa skuadra e Indiana Pacers ndjek me 8 fitore e 6 humbje.

Nëse franchise nga Wisconsin pozicionohet në vendin e tretë në Lindje, Lakers, në krahun tjetër, morën pa humbur kohë kryesimin në Konferencën e Perëndimit me 12 fitore e 4 humbje. Kampionët në fuqi kanë bilancin më të mirë deri në këtë fazë të sezonit të rregullt, që gjithsesi nuk është pak, por tregon qartë se Lakers janë favoritë për të mbrojtur titullin, pavarësisht rritjes apo konfirmimit të ekipeve si Brooklyn Nets, Los Angeles Clippers e Milwaukee Bucks.

Vlen të theksohet fakti që sezomi i rregullt këtë herë do të zhvillohet me 10 ndeshje më pak, pra do të përbëhet nga 72 sfida në total, sidoqoftë për momentin kur po i afrohemi çerekut të sezonit të rregullt kampionët në fuqi kryesojnë në Konferencën e Perëndimit me vetëm një fitore më tepër se dyshja Utah Jazz – Los Angeles Clippers, që ndjek aktualisht me 11 fitore e vetëm 4 humbje.

Vetë franchise nga Salt Lake City u befasua fillimisht nga loja e mirë e New Orleans Pelicans dhe Utah Jazz e panë veten në disavantazhin e plot 16 pikëve në periodën e dytë të takimit, gjithsesi Utah reagoi mirë dhe avantazhin e vetëm në 12’ e dytë të ndeshjes Jazz e siguruan pikërisht në fundin e pjesës së parë, për të shkuar në interval me epërsinë minimale 70-69. Në vazhdim në Vivint Smart Home Arena përpara 1.932 spektatorëve Utah kontrolloi me qetësi takimin, për të fituar gjithë ndeshjen me rezultatin 129-118.

Lojtari më i mirë i takimit ishte padyshim Donovan Mitchell me 36 pikë të realizuara në 34’ lojë, ndërsa në krahun tjetër spikati si zakonisht, 20-vjeçari tepër i talentuar nga Karolina e Veriut Zion Williamson me 27 pikë, sakaq lojtari i qendrës i Jazz, francezi Rudy Gobert kontribuoi me vetëm 12 pikë e 11 rebound në dicka më pak se gjysmë ore lojë.

Ditën e martë Golden State iu përmbysi kampionëve në fuqi disavantazhin e plot 14 pikëve pikërisht në periodën e fundit, megjithatë në ndeshjen e radhës Warriors u thyen brenda në shtëpi me 15 pikë diferencë nga Neë York Knicks. Në San Francisco, në “Chase Center” vendasit kryesuan në fillim 8-7, sidoqoftë ky ishte edhe avantazhi i fundit për skuadrën e drejtuar nga trajneri Steve Kerr. Miqtë dominuan takimin deri në fund për të mbyllur përfundimisht takimin me fitoren 119-104.

Fitorja e tretë rresht për ekipin e drejtuar nga trajneri Tom Thibodeau, që tani numëron 8 fitore dhe 8 humbje në Divizionin e Atlantikut, ku gjithsesi rivaliteti është vërtet shumë i madh me 76ers, Celtics apo dhe Nets.

Steph Curry ishte përsëri pikëshënuesi më i mirë i mbrëmjes me 30 pikë në 35’ lojë, ndërsa në krahun tjetër ra në sy 20-vjecari kanadez RJ Barrett, që realizoi 28 pikë.

 

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Serie A

Momente frike gjatë Udinese-Roma, ndeshje ku Evan Ndicka u rrëzua në fushë në minutën e 69-të pasi u ndje keq. Mbrojtësi nga Bregu i...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...

Bundesliga

Pritjes i erdhi fundi. Bayer Leverkusen është zyrtarisht kampion i Bundesliga-s, me skuadrën e Xabi Alonso-s që bëri detyrën edhe në sfidën e javës...